“Avioni spiun” në kalanë e Gjirokastrës ngrihet në “fluturim” [FOTO]

1661111_10204504001017763_6980300193596575110_nNga Gjirokastra u ngrit në “fluturim” një tjetër avion. Nuk është nga ata avionët që u aludua se ngarkoheshin me drogë në fushën e Kardhiqit dhe që shkaktuar një debat shumë të madh publik rreth një vit më parë. Bëhet fjalë për “avionin spiun” që qëndronte në kalanë e Gjirokastrës për më shumë se tre dekada.

Ai u ekspozua për herë të parë në këtë kështjellë në vitin 1973. Shumë herë prania apo largimi i tij nga kalaja ka qenë objekt i diskutimeve dhe debateve të strukturave të pushtetit vendor në Gjirokastër. U desh realizimi i një dokumentari që ky avion të ngrihej sërish në “fluturim”. Dokumentari është një realizim i përbashkët italo-shqiptar, por për momentin autorët e tij nuk japin shumë detaje.

Në funksion të xhirimeve, avioni është lëvizur me ndihmën e vinçit siç shihet edhe në foto. Avioni i tipit “Lockheed T-33” është një relike e Luftës së Ftohtë. Sipas versionit zyrtar të asaj kohe, mjeti fluturues është pjesë e Muzeut Kombëtar të Armëve, pasi aeroplani u detyrua të ulej nga dy aeroplanë ushtarakë shqiptarë MIG në Aeroportin e Rinasit, më dhjetor të vitit 1958, që në atë kohë ende nuk kishte përfunduar së ndërtuari. Para disa vitesh mbi këtë avion dallohej qartë mbishkrim “United States Air Force”.

Në vitin 2000, Ylli Asllani, asokohe kryebashkiak i Gjirokastrës, sot këshilltar i presidentit Bujar Nishani, paraqiti një projektvendim në këshillin e atëhershëm bashkiak për ta larguar aeroplanin nga kalaja, pasi kjo relike ishte nonsens me faktin që SHBA ishin dhe janë partnerët dhe aleatët më të afërt të shtetit shqiptar, por projekti nuk u miratua nga anëtarët e këshillit bashkiak në atë kohë. Përtej debatit për ta larguar ose jo, ky avion në rrjedhën e viteve ishte shëndërruar në një atraksion më vete brenda kalasë Gjirokastrës dhe që në fakt nuk na e cënoi aspak miqësinë me amerikanët. / © libohovaonline.com

10922756_10205064466878653_3612465229865315472_n

10689952_10204503161756782_6715000678392602134_n