14-vjeçarja e marrë peng: Ju rrëfej kafshërinë e xhihadistëve (VIDEO)

20140923162544Aria është vetëm 15 vjeç, e buzëqeshur, teksa na pret në një çadër të ngritur në kampin e refugjatëve në Irakun veriperëndimor. Prindërit e saj qëndrojnë pranë nesh. Fytyrat e tyre, lëkura e tyre e regjur dhe rrudhat e theksuara flasin për një jetë të vështirë, që është bërë edhe më e vështirë. Në një qoshe, ata kanë mbledhur batanijet e rrogozat, përveçse atyre që i përdorin për t’u ulur. Kampi i refugjatëve, jashtë qytetit të Duhok-ut, u ngrit muajin e shkuar nga UNHCR për strehimin masiv të jazidëve të shpërngulur nga shtëpitë e tyre në Sinjar nga ISIS-i. 

I kërkoj Arias të na tregojë historinë e saj. Ajo mohon me kokë dhe e hedh vështrimin nga prindërit e saj të moshuar, të cilëve iu kërkon të largohemi nga çadra. Mesa duket, nuk do që të tjerët të dëgjojnë atë që ka për të thënë. 

Gjashtë javë më parë, kjo familje dëgjoi se ISIS-i po vinte, ndaj në mënyrë të dëshpëruar, ata morën makinën dhe u përpoqën të arratiseshin nga shtëpia e tyre në Sinjar. Morën rrugën, por një varg makinash me flamuj të zinj i ndiqte pas. Menduan se arritën t’u shpëtonin, derisa automjetet e ISIS-it iu prenë rrugën dhe i rrethuan. “Na detyruan të dilnim nga makina”, tha Aria. “Vajzat dhe gratë u ndanë nga burrat, vëllai im 19-vjeçar po ashtu. Por ata na morën ne vajzat, duke na detyruar të futeshim në një kamionçinë”. 

Kushte makabër

Aria, kunata e saj 14-vjeçare dhe disa vajza të tjera, u çuan 120 km larg, drejt fortesës së ISIS-it në Mosul, në qytetin e dytë më të madh të pushtuar nga militantët, që në muajin qershor. Ato u dërguan në një shtëpi me tre kate, ku u mbyllën me dhjetëra adoleshente të tjera të marra peng. 

“Në Mosul, ata u përpoqën të na detyronin të ndryshonin besimin fetar”, tha ajo. “Na thanë: ‘Lexoni Kuranin tonë’. Disa vajza thanë se nuk kishin shkuar kurrë në shkollë, ndaj nuk munda ta lexonin Kuranin. Ndërsa unë nuk mund ta kuptoja atë.” 

Për më tepër se 3 javë, Aria qëndroi nën kushte makabër. Gjatë kësaj kohe, një sheik shkoi te shtëpia tre-katëshe dhe mori 20 prej vajzave, bashkë me to, edhe kunatën e saj. “E detyroi. Unë isha shumë e frikësuar. Shumë prej mikeshave të mia u përdhunuan. Është tepër e vështirë të flasësh për këtë”, shprehet ajo. 

Abuzimi seksual është një çështje tabu në këtë kulturë dhe pranimi se dikush ka qenë viktimë e tij është diçka e padëgjuar. Ndaj, e pyeta Arian butësisht nëse e kishin përdhunuar. Ajo pa drejt murit, me kokën lart dhe tundin kokën në shenjë mohimi. 

Është e qartë se adoleshentja është tronditur. “I shoh ato fytyra gjatë gjithë kohës. Kam makthe. Nuk mund të rresht së menduari sesi i detyruan vajzat. Kam parë boll”, thotë ajo. 

Turpi 

Tanya Kareem, drejtore e UNHCR në Duhok, shpjegon sesa e vështirë është për vajzat si Aria të flasin për atë që u ka ndodhur. “Edhe pasi lirohen, vajzat dhe gratë e kanë të pamundur të flasin për eksperiencën e dhimbshme. Ato janë të tronditura. Dhe ato janë nga një shoqëri, një kulturë që nuk e pranon domethënien e kësaj gjëje në familje. I turpëron aq shumë, saqë ato nuk flasin për të”. 

Aria dhe mikesha e saj u morën në Fallujah nga dy militantë të ISIS-it, të cilat ajo i përshkruan si të frikshëm. “Kishin mjekra të gjata: ishin vërtet të gjatë dhe të mëdhenj. Edhe burrat do t’ua kishin frikën. Na detyruan të martoheshim me ta, na kërcënuan nëse nuk do ta bënim. Na dhanë edhe nurmin e telefonit për të telefonuar familjet e për t’u treguar se ishim konvertuar”, shpjegon ajo. 

Duke përdorur telefonin që ua dhanë militantët, ato telefonuan fshehtas xhaxhin e shoqes, që kishte të njohur në Fallujah. Ata i ndihmuan vajzat dhe kur militantët u larguan nga shtëpia, vajzat – të veshura në nihabe – u arratisën. “Ne menduam të vrisnim veten. Por vendosëm t’i kërkonim xhaxhit të shoqes sime për ndihmë, që të arratiseshim”, vijoi ajo. 

Mirëpo edhe pas ribashkimit me familjen në kampin refugjat, ajo vazhdon të vuajë. “Nuk e dija që më kishin vrarë vëllanë. Kjo gjë më trishtoi. Kisha vetëm një vëlla. Ai ishte martuar që prej 6 muajsh. U trishtova kur e dëgjova këtë. E vranë bashkë me burrat e tjerë, pasi më rrëmbyen mua. E qëlluan në kokë. Nëna ime fjeti mbi trupin e tij të vdekur gjatë gjithë natës”, qan ajo. 

Aria nuk dëshiron të qëndrojë në kamp. Kushdo e di çfarë i ka ndodhur dhe ata flasin për të, madje e shohin sa herë ajo del jashtë kampit. 

Mirëpo turpi i saj është tepër i vogël para fajit që ajo ka përjetuar, pasi mësoi ato që u ndodhën vajzave të tjera të marra peng, që ishin arratisur. “I përdhunuan se ato u arratisën. Ky ishte ndëshkimi. Ata e kanë forcuar sigurinë, që vajzat të mos largohen më. Duhet të jetoj me këtë (faj) tani”. /Express