200 euro për person, arrestohet në Dropull trafikanti i sirianëve

Parandalohet një rast i tentativës për dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, falë kontrollit të rreptë në kufirin e gjelbër, në kuadër edhe të operacionit FRONTEX. Policia e Gjirokastrës jep detaje për mediat përmes një njoftimi.
Arrestohet në flagrancë 1 shtetas, shpallet në kërkim 1 tjetër dhe 1 procedohet në gjendje të lirë.
Si rezultat i kontrollit të brezit të gjelbër, me qëllim goditjen e veprimtarive të paligjshme, shërbimet e kufirit të gjelbër Kakavijë dhe ato të Frontex-it, në fushat e fshatit Bularat, Dropull kapën shtetasin R. G. 44 vjeç, banues në fshatin Veliten, Maliq, i cili ishte duke pritur disa shtetas sirianë për t’i transportuar në drejtim të Tiranës.
Nga veprimet hetimore të kryera nga specialistët e Hetimit të Trafiqeve dhe Narkotikëve në D.V.P. Gjirokastër rezultoi se shtetasi i mësipërm bashkëpunonte me dy shtetas të tjerë për të transportuar shtetasit sirianë në drejtim të Tiranës, kundrejt shumës 200 euro për secilin.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë shpallja në kërkim e shtetasit E. B., banues në Durrës dhe vijon puna për kapjen e tij, si dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi L. L., banues në fshatin Veliten, Maliq.
Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprën penale “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, e kryer në bashkëpunim”.