21 Janari përkujtohet në Gjirokastër, kërkohet drejtësi për Ziver Veizin (VIDEO)
Në Zenelaj pranë Gjirokastrës në vendlindjen e njërit prej të vrarëve të 21 janarit, Ziver Veizaj, familjarë dhe miq u mblodhën në një ceremoni përkujtimore. Mes familjarëve kishte edhe autoritete lokale, si dhe bashkëprotestues me Ziver Veizin më 21 Janar 2011.
Familjarët e Veizit kanë kërkuar drejtësi për këtë vrasje shtetërore sipas tyre.
“Kanë kaluar 9 vjet dhe jemi të mërzitur se e vërteta nuk është zbardhur akoma. Shpresojmë se me reformën në drejtësi vrasësit e xhaxhait tonë do të zbulohen”, thotë Zaimira Veizi, e afërme e Ziver Veizit.
“Sot kërkojmë me këmbëngulje drejtësinë për 21 janarin”, thotë për Tv Gjirokastra, Asim Banushi, një prej protestuesve që ishte me Ziver Veizin në Tiranë më 21 janar 2011.
Ndërkohë që e bija, Ana, bëri homazhe në Tiranë në vendin ku u vra i ati. Më 21 Janar 2011 gjatë një proteste të opozitës së atëhershme të udhëhequr nga Partia Socialiste, Garda e Republikës, me urdhër politik të qeverisë së atëhershme, qëlloi mbi turmën e protestuesve. Viktimat ishin Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda e Faik Myrtaj.