70 vjetori i Çlirimit, rikthehet portreti i Enver Hoxhës në rrugët e Gjirokastrës (FOTO)
Gjirokastra feston sot 70 vjetorin e Çlirimit dhe me këtë rast ne qytet po organizohen një sërë aktivitetesh nga pushteti vendor. Çlirim imagjinar, parada të veteranëve, ekspozita dhe homazhe në varrezat e dëshmorëve janë disa prej aktiviteteve. Të pranishëm kanë qenë edhe ministrat Veliaj, Ahmetaj, Fatmir Toçi dhe Bledi Çuçi, si dhe ish-presidenti Alfred Mosiu. Parada e flamujve u ndoq me interes jo vetëm nga qytetarët gjirokastritë, por edhe nga turistët e huaj të cilët nuk kanë nguruar ta fiksojnë këtë moment në aparatet e tyre. Ajo që ra në sy, edhe pse nuk ndodh për herë të parë në fakt, është se veteranët e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimatare nuk u shfaqën pa portretin e ish-diktatorit Enver Hoxha, udhëheqësit të luftës, i cili pas ardhjes në pushtet instaloi në Shqipëri një nga regjimet totalitare më të egra në Evropë. Me siguri që pritet të ketë debate publike dhe akuza politike nga ana e opozitës, siç ndodhi edhe nëntorin e kaluar.