8 doganierë të Kakavijës në Prokurori, i shkaktuan dëm buxhetit 72 milionë lekë
Kontrolli i Lartë i Shtetit çon në Prokurori 8 doganierë të pikës kufitare të Kakavijës nën akuzën e “vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”.
Shtetasit N.S, N.P, D.D, K.S, A.Q, K.D, L.V dhe F.D, me detyrë doganierë të kontrollit fizik pikë-hyrje dhe të parkingut doganor, në Degën e Doganës Kakavijë akuzohen se përmes vjedhjes i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 72 milionë lekë, ose rreth 700 mijë dollarë.
Për këto shkelje dhe shkelje të tjera të konstatuara, KLSH ka kallëzuar në Prokurori 8 punojës: N.S, N.P, D.D, K.S, A.Q, K.D, L.V dhe F.D, me detyrë doganierë të kontrollit fizik pikë-hyrje dhe të parkingut doganor, në Degën e Doganës Kakavie, të cilët kanë konsumuar elementët e figurës së veprës penale “Vjedhje e kryer duke shpërdoruar detyrën”.
Në njoftimin për mediat, KLSH bën me dije se ka arritur në këtë konluzion pas përfundimit të auditit në këtë pikë doganore. Auditimi përfshin periudhën e veprimtarisë nga viti 2012 deri 2013, duke u përqëndruar në realizimin e të ardhurave doganore dhe zbatimin e legjislacionit doganor.
Nga auditimi, KLSH ka konstatuar një sërë shkelje të dispozitave ligjore, ku më kryesoret janë:
1. Mospërputhje në procedura dhe të meta e mangësi në zbatimin e legjislacionit dhe akteve administrative që rregullojnë funksionimin e Degës Doganore, si në drejtim të procesit të vlerësimit e pranimit të deklaratave doganore të subjekteve të biznesit dhe individëve, ashtu dhe në drejtim të administrimit material e financiar, të cilat kanë sjellë për pasojë një dëm financiar dhe mungesë të ardhurash për Buxhetin e Shtetit në shumën 72,206,897 lekë.
2. Mosrregjistrimi i të gjitha mjeteve të huaja. Nga të dhënat e marra nga sistemi TIMS, për numrin e automjeteve të hyra, të ballafaquara me dokumentacionin e arkëtimeve të paraqitur nga zyra e financës të doganës, si dhe akordimeve të bëra me punonjësit përgjegjës, rezultoi se doganierë të pikës së hyrje daljes nuk shënonin në regjistër të gjitha mjetet, duke sjellë një diferencë të pa arkëtuar, në total me dëm ekonomik në Buxhetin e Shtetit në vlerën e 120,195 euro për 2.671 raste, për periudhën 2012-2013.
3. Mozbatimi dhe mosarkëtimi i tarifave te parkingut, duke krijuar një dëm ekonomik në Buxhetin e Shtetit, për 4,334,600 lekë në periudhën 01.06.2012-31.12.2013.
4. Praktika doganore me grup artikujsh nga i njëjti eksportues të cilat janë trajtuar me origjinë preferenciale me nivel të taksës doganore 0%, në shkelje të MSA-së të Shqipërisë me Bashkimin Evropian;
5. Praktika doganore në kundërshtim me legjislacionin tonë doganor, etj.
KLSH i ka përcjellë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër materialet e auditimit dhe të gjitha provat përkatëse.
Për të gjithë doganierët e rezultuar me shkelje në Raportin përfundimtar të Auditimit, KLSH i ka propozuar Drejtores së Përgjithshme të Doganave të marrë masat disiplinore nga “largim nga shërbimi civil” deri në “mbajtje deri në 1/3 e pagës”.
Gjithashtu, KLSH ka rekomanduar 7 masa organizative, 5 masa për shpërblim dëmi në vlerën 66,328,917 lekë, si dhe 2 masa administrative, penalitet për 2 subjekte./Dita