80 Vjetori i Ismail Kadare, aktivitete në Gjirokastër, festime në zonën muzeale
Në Gjirokastër 80 vjetori i shkrimtarit Ismail Kadare është festuar me një sërë aktivitetesh. Në ceremoni të ndryshme janë recituar poezi, kënduar këngë polifonike dhe janë shkruajtur citate pikante nga veprat e Kadaresë.
80 vjetori i lindjes së shkrimtarit shqiptar me famë botërore Ismail Kadare është kremtuar me një sërë aktivitetesh në vendlindjen e tij në Gjirokastër.
Një tortë ditëlindje në formën e një libri,me një citat të shkrimtarit, ka çelur siparin e festimeve në zonën muzeale.
Në një dërrasë metalike, qytetarët shkruanin thënie pikante të marrë nga librat e Kadaresë, ndër ta ishte dhe Zv.Ambasadori i OSBE Robert Uilton, i ftuar special i bashkisë së qytetit të gurtë.
Zamira Rami: “Ata nuk e dinin se në strehët e çatisë i priste një grackë e panjohur , qyngji prej llamarine tamam në çastin kur bëheshin gati të kërcenin nga çatia në tokë, pikat e shiut gjendeshin befas në qyngjin e ngushtë.”
Robert Willton:“Mjeshtri Kadare flet për ne të gjithë, kjo është një gjë europiane.Unë si dikush që ka interes për letërsinë shqiptare unë kam bërë si hobi përkthimin e poezisë shqip.”
Aktivitetet për 80 vjetorin e Kadaresë, vijuan me këngë polifonike të grupit të fëmijëve.
Më pas, lidhja e shkrimtarëve “Kadare” recituan poezi të shkruajtura nga dora e shkrimtarit.
Aktivitetet në nderim të Ismail Kadaresë do kulmojnë ditën e shtunë, me çeljen e banesës muze ku ka jetuar shkrimtari./ora news