Zgjedhjet, e majta me një kandidat të LSI-së për Libohovën?
Partitë kanë nisur diskutimet për emrat e kandidatëve me të cilët do të përfaqësohen në zgjedhjet lokale të 21 qershorit. Sic shkruan “Panorama”, Edi Rama dhe Ilir Meta kanë komunikuar ditët e fundit për kandidatët e 61 bashkive të vendit. Mësohet se LSI-ja do të këtë kandidatët e saj të mbështetur edhe nga PS, në rreth 25-30% të bashkive të krijuara pas ndarjes territoriale. Pra, në rreth 15-18 bashki do të jenë kandidatët e LSI-së. Ato bashki që konsiderohen si të kategorisë së parë, do t’i mbeten kandidatëve të propozuar nga PS.
Këtu bën pjesë edhe Bashkia Gjirokastër, ku PS nuk pritet të lëshojë terren për LSI-në, por ndërkohë diçka e tillë me shumë mundësi do të ndodhë në Bashkinë Libohovë. Në këtë bashki të zgjeruar edhe me Komunën Zagori dhe Komunën Qendër Libohovë, pritet që e majta të dalë me një kandidat nga radhët e LSI-së.
Në funksion të kësaj, me ndihmën edhe të deputetit Vangjel Tavo, është duke u pregatitur prej kohësh terreni. Në lojë janë disa emra, por akoma s’ka gjë zyrtare. Sa i përket kandidatëve të opozitës, pritet që më shumë informacion të jepen në ditët e para të muajit mars.