Kallëzim penal në Prokurori për Flamur Bimen dhe disa zyrtarë të Bashkisë Gjirokastër
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit kallëzon penalisht kryetarin aktual të Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Bime si dhe disa zyrtare të tjerë, të akuzuar për shpërdorim detyre të kryer në bashkëpunim. Mësohet se IKMT-ja ka depozituar kallëzimin penal ndaj Bimes, për shkak të një vendimi të miratuar prej tij, në kohën kur drejtonte KRRT e Gjirokastrës, për ndërtimin e një pallati 7 katesh. Sipas IKMT, bëhet fjalë për një pallat në lagjen “18 shtatori” të Gjirokastrës, i ndërtuar në kundërshtim me legjislacionin shqiptar.
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit pretendon se “leja është dhënë me afat një vit në vitin 2009, por më pas në kundërshtim me çdo të dhënë urbanistike dhe të ligjeve është lejuar edhe një shtesë prej 5 katesh.Vendimet janë dhënë pa pasur më parë dhe pa u bazuar në asnjë plan rregullues dhe asnjë studim urbanistik pjesor të miratuar sipas ligjit”.
IKMT ka kallëzuar po ashtu edhe Kryeinspektorin dhe inspektorët e IKMT të Bashkisë Gjirokastër, Ilir Çumaku ish-sekretar i KRRT në Bashkinë Gjirokastër, Antoneta Çako ish-sekretare e KRRT në Bashkinë Gjirokastër, si dhe ish-anëtarët e Sekretariatit Teknik të KRRT Bashkia Gjirokastër.
Akuza për të gjithë shtetasit e mësipërm është “shpërdorim detyre e kryer në bashkëpunim./BW