Sa shanse ka Shqipëria të kualifikohet në “Euro 2016”, 3 pikë larg grupit të “play-off”-it
Përmbysja e rezultatit dhe fitorja 2-1 ndaj Armenisë i ka hapur rrugë realizimit të ëndrrës kuqezi për të marrë pjesë për herë të parë në një Kampionat Europian.
Është ende herët për të folur për këtë, pasi janë për t’u luajtur edhe 4 ndeshje të tjera, por vendi i tretë në grup dhe 7 pikët e marra deri tani na ka futur në listën e skuadrave pretendente për t’u kualifikuar, të paktën me “play-off”.
Sipas rregullores së UEFA-s, 2 vendet e para të çdo grupi kualifikohen direkt për në “Francë 2016”, ndërkohë që këtyre 18 ekipeve i bashkohet dhe skuadra më e mirë mes atyre që kanë zënë vendet e treta në grupe. Sipas renditjes aktuale të këtyre ekipeve, Shqipëria e Giani De Biasit renditet në vendin e tretë, pas Skocisë dhe Hungarisë.
3 vendet e para në renditjen aktuale janë me pikë të barabarta, por 3 golat që na “shënoi” UEFA për dhunën e mohuar në ndeshjen Serbi-Shqipëri na e kanë prishur golavarazhin dhe na kanë zbritur në vendin e tretë.
Sfida e radhës e Shqipërisë, tek e cila presim që drejtësia të vendosë drejtësi, është ajo e 17 Prillit në KAS. Kuqezinjtë kërkojnë 3 pikëshin e mohuar nga komisionet e UEFA-s, një vendim që përveçse do të na japë direkt vendin e parë në grupin I, do të ngrejë moralin e lojtarëve të kombëtares për 4 ndeshjet e mbetura dhe shpresat e gjithë shqiptarëve për një kualifikim direkt për në “Francë 2016”.