“Festivali Folklorik i Gjirokastërs 2015” / Risitë e festës së Muzikës Folklorike
Me qëllim mbrojtjen dhe popullarizimin e vlerave më të mira muzikore, koreografike, etnografike trashëguar në shekuj, dhe me synimin e tërheqjes së vëmëndjes së brezit të ri në veprimtaritë e trashëgimisë kulturore, 12 qarqe te vendit do të konkurrojnë për të fituar trofeun e “Festivalit Folklorik i Gjirokastër 2015”, i cili do të zhvillohet në datat 10/16 maj 2015 në kalanë e qytetit të gurtë.
“Festivali Folklorik i Gjirokastërs 2015” , permes grupeve e ansambleve pjesmarrëse dhe përshëndetëse, ka synim të pasqyrojë gjinitë e folklorit dhe vlerave të tij, ku rëndësia më e madhe do t’i kushtohet evidentimit të krijimeve folklorike, me karakter improvizues, lojrave me karakter imitativ, pantonimik e humoristik, krijime që lidhen me festat tradicionale popullore dhe me karakter ritual si dhe evidentimin e krijimeve të lashta duke ruajtur pastërtinë burimore.
Ndërkohë pas punës parapërgatitore nga Drejtorite Rajonale të Kulturës Kombëtare në bashkepunim me specialistët e trashëgimisë kulturore të Ministrisë së Kulturës, Qëndrës Kombëtare të Veprimtarive Folklorike, grupeve të punës në qarqe dhe qëndrat kulturore të komunave e bashkive dhe me ansamblet muzikore, Ministria e Kulturës ka njoftuar se në bashkëpunim me DRKK-Gjirokastër kanë nisur edhe ndërhyrjet e fundit restauruese në skenën dhe në kalanë e Gjirokastrës ku do të zhvillohet aktiviteti.
“Përveç grupeve nga vendi edhe shoqatave e grupeve folklorike të ftuar nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Arbëreshët e Italisë, Turqia, Greqia, Zvicra apo edhe SHBA-ve, risia e këtij edicioni do të jenë dhe artistët e mirënjohur,i Eda Zari, Olen Çezari, Rona Nishliu, grupi Fanfara Tirana, dhe disa grupe evropianë të ftuar të muzikës folk, të cilët do të performojnë në orët e natës” njoftojnë organizatorët.
Me moton “një spektakël gjithëpërfshirës”, qyteti dhe qytetarët, turistët e të ftuarit do të jetojnë për 24 orë një festë me muzikë folklorike, kostume, panaire, zeje tradicionale, ekspozita, projeksione filmash, Open Stage me muzikë alternative, dhe mjaft organizime qe do ta mbajnë Gjirokastrën të zgjuar për 7 ditë rrjesht/Ata