Nënshtetësia greke për fëmijët e emigrantëve, ja kushtet që duhen
Regjistrimi i fëmijës në klasën e parë të shkollës fillore dhe ndjekja e shkollës në kohën e paraqitjes së aplikimit, e ndërlidhur me qëndrimin e ligjshëm të njerit prej prindërve, të paktën pesë vjet para lindjes së fëmijës, përbëjnë kushtet për marrjen e nënshtetësisë greke nga fëmijtë e emigrantëve, siç artikulohet në draftin e ministrisë së Brendshme të Greqisë që është për konsultim publik.
Në rastet që fëmija ka lindur para se prindi të mbushë pesë vjet qëndrim të ligjshëm (p.sh., ka nga një deri në katër vjet), e drejta për të marrë nënshtetësi fitohet kur prindi të mbushë dhjetë vjet qëndrim të ligjshëm të vazhdueshëm në Greqi.
Gjithashtu, nënshtetësinë greke e përfitojnë edhe ata fëmijë, njeri nga prindërit e të cilit disponon leje të fuqishme qëndrimi, p.sh., leje pa afat (aoristu) apo rezident afatgjatë (epi makron dimenontos).
Me projektligjin e ri të qeverisë greke bëhen përpjekje për t’u zgjidhur problemi që ishte krijuar me pezullimin nga Gjykata e Lartë Administrative të dispozitave të ligjit 3838/2010, sipas të cilave fëmija e merrte nënshtetësinë me lindjen e tij në Greqi dhe përderisa të dy prindërit ishin të ligjshëm për të paktën pesë vjet. Në projektligjin e ri rol kryesor luan regjistrimi i fëmijës në klasën e parë fillore dhe qëndrimi i ligjshëm pesëvjeçar i njerit prej prindërve.
Përndryshe, projektligji i ri ka lënë në fuqi gjithë mënyrat e tjera për marrjen e nënshtetësisë, ashtu siç parashikohej në ligjin e mëparshëm. Këto dispozita janë të favorshme për emigrantë të brezit të dytë që kanë dëftesë pjekurie (apolitirio likeiu) apo janë diplomantë të institucioneve të arsimit të lartë AEI-TEI, persona që kanë kryer arsimin e detyrueshëm nëntëvjeçar në Greqi apo kanë kryer po në Greqi, gjimnazin dhe liceun.