Grupi polifonik “Argjiro” skualifikohet nga festivali. Arsyeja: Nuk dinë të këndojnë!
Grupi polifonik Argjiro, së bashku me grupin e fëmijëve të Gjirokastrës, janë eleminuar nga gara e festivalit polifonik të Gjirokastrës që do të mbahet këtë vit. Arsyeja është se ata “nuk dinë të këndojnë”.
“E pakuptueshme, nuk ka juri në botë që me gjykimin e vet të mund të jetë se paku në nivelin e të kuptuarit të muzikës dhe të interpretimit të këtyre mjeshtrave të pazëvendësueshëm. Mos është vallë ndonjë humor i hollë gjirokastrit “eleminimi” i tyre, së bashku me ata që do ta vazhdojnë këtë traditë” shkruan në rrjetin social Vaso Tole, akademiku që është njohës i Iso-polifonisë por edhe një kritik muzike e mbrojtës i traditës.
Por duket se gjithçka ka mbaruar për jurinë. Shkëlqim Guçe, Shyqyri Hysi, Koço Vasili, Stavri Çati piktor, Fitim Caushi, kanë qenë anëtarët e jurisë që skualifikuan grupin Argjiro. Ndërkohë informacionet që vijnë është se juria ka skualifikuar nga ky festival edhe grupin tradicional të Zagories dhe Libohoves. Por ka edhe zera qe thone se anetari i jurise Shkelqim Guce ka nje grup te tijin, te cilin e ka favorizuar.
Festivali polifonik i Gjirokastrës do të nisë në datën 10 maj. Eshtë një ngjarje që është pritur shumë mirë dhe që do të mbledhë në këtë qytet grupet nga gjithë trevat shqiptare. /newsbomb