“Ismail Kadare duhej ta kishte marrë Nobelin”
Në këto kohëra të vështira për blerjen e librit, ku dominojnë thrillerat me gjuhë stereotipe dhe kujtimet e njerëzve të shquar të shkruar nga dikush tjetër, lajmi se, më në fund, është përkthyer në anglisht një roman i vitit 1978, i thjeshtë në subjekt e në zhvillimin e personazheve, nuk ka të ngjarë të ngazëllejë lexuesin e zakonshëm. Fakti që autori i këtij romani është poeti dhe romancieri më i shquar shqiptar mund të jetë më shumë pengesë se ndihmë.
Sidoqoftë, për ata që janë të familjarizuar me emrin e Ismail Kadaresë ose të magjepsur nga vepra e tij, ose për ata shpirtra aventurëkërkues, që iu ngjallin interes zërat e huaj të padëgjuar, “Muzgu i perëndive të stepës” mund të jetë një kënaqësi e vërtetë.
Ky roman enigmatik dhe joshës është një rrëfim fiksional i Kadaresë për kohën kur ishte student për Letërsi Botërore në Institutin e mirënjohur Gorki, në Moskë, në vitin 1958. Kjo “fabrikë intelekti” synonte të indoktrinonte një brez të ri poetësh, romancierësh dhe dramaturgësh që të aderonin dhe të bëheshin “prodhimtarë” të realizmit socialist të sanksionuar nga shteti. Kadare e përçmonte mësimdhënien doktrinare (deri në atë masë, saqë iu zvordh dëshira për të shkruar dhe konsideroi seriozisht braktisjen e letërsisë) dhe narratori anonim që rrëfen në vetën e parë në roman gjithashtu ankohet dhe përqesh pjesëmarrësit trushpëlarë të kësaj doktrine.
Për t’iu shmangur tonit deklamativ, narratori i Kadaresë largohet nga ky mjedis sa më shpesh mundet dhe vendoset në një distancë të sigurt nga profesorët e Partisë Komuniste dhe instruksionit të tyre të mërzitshëm. Duke bërë një gjë të tillë, ai fiton liri vetjake dhe ajo që vjen më pas është thjesht një kremtim i moskokëçarjes rinore.
Ne përgjojmë festat e dehjes dhe mbrëmjet letrare, të cilat shpien në zbulimin se “një njeri mund të ndeshë më shumë mrekulli në një natë të vetme në krahasim me ato që stërgjyshërit e vet antropoidë kanë parë në dhjetëra mijëra vite të evolucionit”. Lexojmë për shëtitje me ski dhe udhëtime drejt daçave, endje të çmendura me tren drejt së panjohurës dhe një kërkim ngulmues, të krisur, për vilën e Mbretit Zog. Një pjesë e pushimeve në shtëpitë e krijimit të shkrimtarëve janë pa gjallëri – me shi të herëpashershëm dhe bilardo në Jaltë, net të bardha të pafundme dhe ping-pong në Rigë – por narratori ynë është krijues, duke sajuar vetë argëtimin e tij (zakonisht në formën e dëfrimeve me vajzat ruse) dhe duke bërë humor me absurditetin që e rrethon.
Kadare e mbush romanin e tij me lloj-lloj personazhesh dytësore. Gjejmë aty teto Katjan, babushka e ftohtë, jobuzëqeshëse ndaj tij, e cila monitoron portinerinë në katin e parë të shtëpisë ku flenë studentët si një rojë pa shprehje në fytyrë; ish-partizanin grek Anteo, që tani pi gjithë kohës; dhe studenten e bukur të Mjekësisë, Lidën, e cila është e lumtur të ketë një të dashur shqiptar, për sa kohë që ai nuk është shkrimtar.
Nuk është për t’u çuditur që asaj nuk i pëlqejnë ata. Shkrimtarët e institutit përshkruhen si një tufë leshkosh e spiunësh mburravecë e servilë. Më të vjetrit prej tyre, që duhej të ishin edhe më të shquarit, ushqejnë paragjykime të vjetra dhe ngjajnë me “qenie të përçudnuara, që i kisha parë të futura nëpër tretësira në ca enë qelqi, në muzeun e Shkencave të Natyrës”. Rekrutët e rinj kanë smira të tmerrshme mes tyre dhe sajojnë gjëma të zeza prapa krahëve. Secili nga ata është mediokër, që ka për qëllim të shkruajë çfarë është udhëzuar të shkruajë. Duke përshkuar qytetin, narratori reflekton për pasaktësinë artistike të tyre. “Pothuajse në asnjë roman sovjetik nuk përshkruhej saktësisht Moska”.
Përkundrazi, përshkrimet e tij për qytetin janë një kritikë e ashpër dhe e hidhur: Sheshi i Kuq është “i shkretë”, muret e shtrira të Kremlinit kanë “diçka të mangët, shurdhane, një mungesë drame”, turmat rrallohen “si gjaku që ngjitet me vështirësi në kokën e njeriut, kur ai e ka trysninë të ulët”.
Romani i Kadaresë është përkthyer në mënyrë të shkëlqyer nga përkthyesi David Bellos, nga një botim i vitit 1998 në frëngjisht, dhe kaq fatmirësisht nuk ngjan si një “telefon i prishur”. Humori i lehtë i Kadaresë, dëshpërimi dhe talljet sarkastike ndaj shkrimtarëve servilë, mbeten të paprekura. Drejt fundit të librit, këto tallje sa vete bëhen një kritikë më e ashpër dhe e hidhur, kur të gjithë shkrimtarët përfshihen në furoren që shpërthen ndaj lajmit se Boris Pasternak paskësh fituar Çmimin Nobel. Ndërsa natë e ditë nga transmetimi i radios dëgjohen mallkime të njëpasnjëshme për Pasternakun, shpalosen ngjyrat e vërteta të tyre. Heroi i Kadaresë vetëm sa ndalon për një çast dhe mendon si i mpirë se “një e gjashta e dheut ndodhet nën sharje”.
Joshja kryesore e romanit të Kadaresë është mospranimi i tij për të luajtur lojën për të cilën është përzgjedhur që të luajë dhe kafshimi i dorës autoritare që e ushqen. Një kënaqësi tjetër mund të përjetohet ndërsa ndjek pranëvënien mendjemprehtë të baladave të lashta shqiptare me arratitë e tij reale dhe sureale. Folklori ballkanas përshkon shumë nga poemat dhe romanet e Kadaresë, veçanërisht “Kush e solli Doruntinën” (2011), por këtu autori e përdor folklorin për një efekt të epërm, për të shpuar tejpërtej artificet e kulturës letrare sovjetike.
Një roman i hershëm, vende-vende disi bazik, “Muzgu i perëndive të stepës” shënjohet, sidoqoftë, nga madhështia dhe është një shtesë e mirëpritur e veprës së Kadaresë. Ai e ka marrë tashmë çmimin Man Booker International. Nëse drejtësia ekziston, ai do të kthehet dikur në Europën Veriore për të kaluar nga pretendent i përjetshëm i Nobelit në një fitues që duhej ta kishte marrë me kohë këtë çmim.
*”The National”, 30 korrik 2014