Basha në Gjirokastër e Libohovë, prezanton kandidatët e PD-së [FOTO]
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zbriti sot në jug të vendit për të prezantuar kandidatët e së djathtës në Bashkinë e Gjirokastrës dhe Libohovës. Ndërsa kryeparlamentari Ilir Meta prezantonte Zamira Ramin, kandidaten e së majtës në Gjirokastër, në zonën muzeale të qytetit Lulzim Basha prezantoi Igli Kokalarin. Para mbështetësve të PD-së, kreu i opozitës tha se Kokalari si biri i këtij qyteti është zgjedhja më e mirë për Gjirokastrën.
Në pasdite Basha udhëtoi drejt Libohovës, ku prezantoi Altin Çomon, i cili kandidon për një mandat të tretë në krye të kësaj bashkie. Lideri i opozitës u kërkoi qytetarëve që në 21 qershor të votonin sërish për kandidatin e së djathtës. Ndër të tjera Basha tha para të pranishmëve se kjo qeveri jo vetëm që nuk ka mbajtur premtimet, por me vendimet e saj i detyron shqiptarët të marrin rrugën jashtë Shqipërisë. Më poshtë disa foto nga takimet e Bashës në Gjirokastër dhe Libohovë.