Mbështetësit e PD-së nga Nepravishta shpërthejnë në akuza kundër kryetarit të komunës
Mbështetësit nga Nepravishta të kandidatit të PD-së, Altin Çomo, kanë një pakënaqësi që shkon deri në kufijtë e urrejtjes ndaj kryetarit të Komunës Qendër Libohovë, Gentian Koçi. Përmes një faqe në Facebook, komentohet me indinjatë pjesëmarrja e Koçit në takimin e Ilir Metës në Libohovë. Po cfarë fshihet pas këtij reagimi tejet të ashpër, ku propozohet ndër të tjera edhe burgosja e Koçit.
Gentian Koçi u zgjodh kryetar i Komunës Qendër Libohovë, në vitin 2011, pasi mundi me diferencë të ngushtë votash Krenar Kullën, i cili qeveriste këtë njësi prej 12 vitesh. Koçi doli në zgjedhje si përfaqësues i PD-së. Pas gati dy vitesh nga marrja e mandatit, nisi edhe ftohja e tij me Altin Çomon dhe strukturat lokale të PD-së. Më pas Koçi kaloi me LSI-në dhe të dielën kur Meta ishte në Libohovë, ai ishte i pranishëm në takim.
Këtë nuk e kanë kapërdirë dot mbështetësit e PD-së në Nepravishtë, të cilët, sic lexohet edhe nga ky postim, thonë se Gentian Koçi ka abuzuar me fondet publike, u ka marrë para njerëzve për legalizim të shtëpive, si dhe ka kryer punësime të familjarëve të tij.
Sa të vërteta janë këto akuza që bëhen përmes kësaj faqe Facebook-u, duhet të merren organet kompetente. Por ka diçka që të bën përshtypje në të gjithë këtë koment. Mbështetësit e PD-së nga Nepravishta, thonë se Koçi ka abuzuar me detyrën, tani që ai nuk është më pjesë e PD-së, duke lënë të kuptohet se po të ishte ende pjesë e tyre, akuzat që i bëjnë për korrupsion dhe shpërdorim detyre nuk quheshin. Pra, po të jesh me ne, edhe po vodhe edhe po abuzove nuk prish punë. Ama po ike, ne të nxjerrim të palarat.