Cila është procedura e kërkesës për azil në Gjermani?

018392654_40300-620x348Ai që vjen si refugjat në Gjermani, duhet të paraqesë fillimisht ose te një autoritet i kufirit, te policia ose te autoritete të tjera një lutje për azil. Pastaj personi dërgohet në një kamp ku mblidhen refugjatët, në një të ashtuquajtur institucion të parë të regjistrimit. Në cilin institucion shkon dhe në cilin land të Gjermanisë, kjo varet zakonisht nga i ashtuquajturi çelës i Königsteinit. Në bazë të tij, azilkërkuesit duhet të shpërndahen në Gjermani në mënyrë të barabartë në të 16 landet gjermane. Sa më shumë banorë ka një land, aq më shumë refugjatë i duhet të pranojë. Në landin e Renanisë Veriore-Vestfalisë (NRW) dërgohen për shembull 21 përqind e refugjatëve, në Brandenburg vetëm 3 përqind e refugjatëve. Megjithatë ndarja nganjëherë bëhet edhe në bazë të faktit se në cilin institucion ka ende vende të lira. Këto janë elementë të rëndësishëm për të ditur të drejtat dhe detyrimet që ke si azilkërkues.

Stacioni i parë

Në institucionin ku regjistrohesh për herë të parë të duhet fillimisht të banosh. Shpesh kemi të bëjmë me një territor të rrethuar me tela, me polici, mjek, mensë dhe salla gjumi për shumë vetë. Çdo azilkërkues ka vetëm 6,5 metra katrorë në dispozicion për të banuar. Për ushqim, në rast nevoje për veshje, vaksinim ose ndihmë tjetër kujdeset institucioni. Fëmijët marrin ndihmë shtesë, në mënyrë që të shkojnë në shkollë.

Në kampet e regjistrimit të parë merren edhe të dhënat personale, bëhen fotografi dhe merren gjurmët e gishtave. Gjurmët e gishtave i dërgohen pastaj Zyrës Federale të Policisë Kriminale. Atje, me anë të një baze evropiane të dhënash shqyrtohet nëse ke paraqitur kërkesë për azil në ndonjë vend tjetër. Punonjësit e Zyrës Federale për Migrimin dhe Refugjatët (BAMF), përgjegjës për çështjet e azilit, të pyesin në kamp për shkaqet e azilit, sepse në çdo lutje që paraqitet në plan të parë është fati i individit. Në marrjen jopublike në pyetje duhet t’i paraqesësh me gojë shkaqet për një azil – një përkthyes është i pranishëm. Për bisedën, të dyja palëve u jepet një protokoll. Pastaj vendoset nëse hapet procesi i azilit. Nganjëherë nuk ke fare të drejtë të kërkosh azil, sepse për kërkesën është përgjegjës një shtet tjetër i BE. Në këtë rast të dërgojnë menjëherë atje.

Stacioni i dytë

Pas tri muajsh merr fund detyrimi për të banuar në një kamp të regjistrimit të parë. Pastaj azilkërkuesit – rreptësisht në bazë të kuotës së konstatuar nga kompjuteri – dërgohen në qarqet e secilit land federal. Atje banojnë shumicën e herëve në banesa të përbashkëta, të cilat financohen nga financues privatë ose nga shoqata të bamirësisë. Ka komuna që vënë edhe apartamente në dispozicion. Ka refugjatë që kërkojnë të strehohen atje ku jetojnë edhe të afërmit e tyre. Kjo duhet respektuar vetëm në rastet e bashkëshortëve ose të fëmijëve të mitur.

Që prej fillimit të vitit ke të drejtë të lëvizësh lirisht në Gjermani, përpara ekzistonte detyrimi për të qendruar në një zonë të caktuar. “Strehimet pasuese” nuk financohen më nga landet federale, por nga qarqet dhe komunat. Ato marrin një shumë të caktuar afrofe nga landet federale për strehimin e refugjatëve. Këtu ka ndryshime të mëdha. Landi i Bavarisë për shembull thotë se i përballon vetëm 100 përqind të shpenzimeve.Lande të tjera nga ana tjetër përballojnë vetëm 20 përqind të shpenzimeve

Tani lejohet edhe të punosh. Shanset që të gjesh një vend pune zakonisht nuk janë të mira. Por pa punë merr maksimalja 352 euro në muaj, të paguhen edhe shpenzimet për një banesë eventuale dhe shpenzimet e ngrohjes. Por edhe pas kësaj ka ndihmë financiare, për të cilën nuk janë më kompetente komunat, por federata.

Vendimi

Në të vërtetë, proceset për azil nuk duhet të zgjasin më tepër se tri muaj. Por mesatarisht procedurat vazhdojnë të zgjasin më shumë, nganjëherë më shumë se një vit. Shkak për këtë janë ndër të tjera shifrat e rritura shumë të refugjatëve. Përjashtime aktualisht bëhen vetëm për refugjatët nga Siria dhe Iraku, zakonisht ata pranohen pas një kohe të shkurtër. Edhe në rastin e refugjatëve nga të ashtuquajtura shtete të sigurta, si Serbia dhe Maqedonia, pra në shtete ku si rregull nuk ka shkaqe politike për një kërkesë për azil, koha e përpunimit të kërkesës është më e shkurtër, “disa ditë”.

Vendimin për një kërkesë për azil ta njoftojnë gjithmonë me shkrim, së bashku me argumentimin dhe në rast nevoje me një udhëzim si të marrësh ndihmë juridike dhe një përkthim të tyre. Kur lutja për azil pranohet, të japin leje qendrimi për tri vjet dhe ke të drejtë të përfitosh nga shërbimet sociale. Pas kësaj kohe, rasti shqyrtohet sërish.

Por ka edhe raste të veçanta, “mbrojtjen subsidiare”: ai që kërcënohet në atdhe seriozisht për shembull nga tortura, dënimi me vdekje ose lufta civile, konsiderohet si “person me të drejtë për mbrojtje ndërkombëtare” dhe lejohet të qendrojë fillimisht për një vit, pas kësaj kohe rasti i tij rishqyrtohet.

Kur një kërkesë për azil refuzohet, “të kthejnë pas”. Vitin e kaluar këtë në Gjermani e përjetuan më shumë se 10.000 vetë, shumicën i kthyen me avion. Por mund ta çosh çështjen para gjykatës administrative. Për këtë të duhet të kesh një avokat.

Ka raste kur megjithë se të kanë refuzuar, mund të qendrosh në Gjermani: kjo ndodh në rastet kur vendi yt është në luftë civile dhe drejt tij nuk fluturojnë avionët, atëherë “të durojnë”. Edhe ai që ka një fëmijë me një gjermane, nuk lejohet të dëbohet pa e zgjatur.

Ka raste kur një refugjat mund të paraqesë edhe pas refuzimit sërish një kërkesë të re për azil. Një kërkesë pasuese për azil shqyrtohet vetëm atëherë kur ka ndryshuar gjendja juridike (për shembull kur situata në vendin e origjinës tanimë vlerësohet ndryshe) ose kur shfaqen dëshmi për përndjekjen e një refugjati, dëshmi të cilat nuk qenë të pranishme në rastin e parë