Zgjedhjet, Luiza Mandi takohet me banorë të lagjes “Teqe Fushë” [FOTO]
Në vijim të takimeve elektorale, kandidatja e PS-së për Bashkinë Libohovë, Luiza Mandi është ndalur në lagjen “Teqe-Fushë”. Ajo ka marrë kontakt derë më derë me të gjithë qytetarët e kësaj lagje dhe ka kërkuar mbështetjen e tyre me votë në 21 qershor.
“Për shumë vite kam pasur besimin tuaj si mjeke në Libohovë. Kësaj here kërkoj të më besoni si administratore e bashkisë, në mënyrë që t’i japim kësaj zone një drejtim të ri, drejtim i cili i ka munguar Libohovës për gjithë këto vite. Libohova s’ka më kohë për të humbur. Ne meritojmë një qeverisje vendore ndryshe, për libohovitët dhe në shërbim të tyre”- tha Mandi.
Më tej kandidatja e PS-së u tregoi banorëve shkurtimisht perspektivën e madhe që krijohet për Libohovën nga reforma territoriale. Ajo i garantoi ata se me mbështetjen e qeverisë së majtë do të sjellë në Libohovë më shumë investime se sa ato që janë realizuar për gjithë këto vite. Takimet e saj elektorale do të vijojnë edhe në ditët e ardhshme në lagje të tjera të Libohovës dhe në fshatrat përreth.