Pasi pinë birrat e LSI-së, romët e Gjirokastrës hedhin valle me Igli Kokalarin [FOTO]
Kandidati i PD-së për Bashkinë e Gjirokastrës, Igli Kokalari ka zhvilluar së fundmi një takim me banorë të komunitetit rom, për t’i kërkuar atyre mbështetje me votë në zgjedhjet lokale të 21 qershorit. Në përgjithësi gjatë fushatave elektorale, partitë u japin romëve ndihma ushqimore sa për t’u marrë votën dhe pastaj u kthejnë krahët, ndërsa Kokalari ka gjetur një mënyrë më origjinale për të fituar simpatinë e këtij komuniteti; iu bashkua kërcimit të tyre. Për një farë kohe, ai ka kërcyer nën ritmet e muzikës karakteristike të këtij komuniteti. Sipas një shënimi në Facebook të Roland Bejkos, kreu i PD-së në Gjirokastër, përpara takimit të Kokalarit, te romët kishin shkuar përfaqësues të LSI-së, të cilët u dhanë arka me birra. Nëse kjo është e vërtetë, i bie që romët e Gjirokastrës pinë birrat e LSI-së dhe vallen e hedhin me PD-në.