Luiza Mandi vijon fushatën në Libohovë, takim me shtresat në nevojë [FOTO]
Kandidatja e koalicionit të majtë për Bashkinë Libohovë, Luiza Mandi, vijon takimet e saj elektorale, për të kërkuar mbështetje në zgjedhjet vendore të 21 qershorit. Pasditen e sotme ajo ka zhvilluar një takim me persona në nevojë në Libohovë; ata që kanë statusin e invalidit, paraplegjikët, si dhe ata që trajtohen me ndihmë sociale. Mandi ka dëgjuar problemet kryesore që ata kanë dhe shprehu gadishmëri për më shumë vëmendje ndaj tyre, me qëllim përmirësimin e statusit social dhe ekonomik të kësaj shtrese.
Ajo theksoi rëndësinë e zbatimit të ligjit, që detyron çdo institucion publik të ketë të punësuar persona me statusin e invalidit apo me aftësi të kufizuara. Kandidatja e majtë kërkoi mbështetjen e tyre me votë në 21 qershor, që siç tha ajo, ta kthejë Bashkinë e Libohovës në shërbim të qytetarëve, jo thjesht në një institucion ku vetëm marrin rrogat disa njerëz.
Ta pranishmit në takim vlerësuan kandidaturën e Mandit, një figurë që siç thanë ata do t’i trajtojë problemet e Libohovës me po të njëjtin përkushtim dhe humanitet siç ka trajtuar pacientët e saj në gjithë këto vite.