Shënim/ Pse ankohet Çomo për drejtorët që vijnë në Libohovë
Që prej fillimit të fushatës në Libohovë, ka një shqetësim nga kandidati i PD-së, Altin Çomo. Shqetësim që është shprehur disa herë nga ai vetë, në rrjetet sociale dhe në takime elektorale të ndryshme. Është fjala për praninë disa herë në Libohovë të disa drejtorëve rajonal në Gjirokastër, të cilët vijnë në mbështetje të kandidates së majtë Luiza Mandi. Po kështu, ky është edhe një shqetësim që mbështetësit e Çomos e ngrenë herë pas here në rrjetet sociale. Edhe në takimin e fundit elektoral që Çomo zhvilloi në Libohovë, e ka ngritur sërish këtë çështje para mbështetësve të tij.
Duke e ndjekur hap pas hapi fushatën, po krijohet ideja sikur Çomo po pengohet nga drejtorët, apo sikur është në garë me ta. Në fakt kjo ngjan më shumë si një alibi për t’i ikur fushatës, për të mos dhënë llogari për qeverisjen 8-vjecare në krye të bashkisë dhe për mos prezantuar angazhimet e tij për mandatin e tretë, nëse do të votohet. Me të drejtë dikush mund të shtrojë dy pyetje: Kush janë këta drejtorë dhe cfarë bëjnë kur vijnë në Libohovë?
Herë vjen Andi Shkurta, drejtor në OSHEE, herë vjen Flamur Golemi, mjek dhe drejtor i Shëndetit Publik, herë vjen Lindita Rova, drejtoresha Arsimit Rajonal etj me radhë. Në një farë mënyre apo në një tjetër, këta njerëz janë edhe zgjedhje me sfond politik dhe rrjedhimisht që japin kontribut në fushatë, siç deri dje jepnin edhe drejtorët e PD-së, të drejtuar nga Altin Çomo. Askush nuk harron se edhe drejtorët e PD-së deri dje dilnin dhe angazhoheshin në fushatë, pro Altin Çomos dhe kandidatëve të tjerë të PD-së. Dhe derisa kishin detyrime partiake shumë mirë bënin që angazhoheshin. Kështu që ky angazhim i drejtorëve të sotëm, nuk duhet parë si ndonjë hata e madhe.
Problem shumë serioz do të ishte nëse ndonjë nga drejtorët, vjen në Libohovë dhe u bën presion njerëzve, me forma nga më të ndryshmet. Por deri më tani, nuk rezulton diçka e tillë dhe askush nuk është ndjerë nën presion. Nuk rezulton fjala vjen që Lindita Rova të këtë urdhëruar ndonjë maturant të Libohovës, që nëse nuk voton Luizën, do ngelet në provim. Nuk rezulton që Andi Shkurta t’i ketë bërë presion ndonjë libohoviti, që nëse nuk voton Luizën do t’i ndërpresë energjinë elektrike. Atëhere, pse është hata e madhe që në Libohovë, disa drejtorë vijnë dhe përkrahin në mënyrë demokratike kandidaten e majtë Luiza Mandi? Pse është hata e madhe që në Libohovë vijnë disa drejtorë, pijnë ndonjë kafe apo hanë ndonjë drekë në restorante, duke u sjellë të ardhura atyre pak bizneseve?
Libohova është një vend i hapur, nuk është një ishull i izoluar dhe kushdo ka të drejtë të vijë dhe të përkrahe kandidatin e tij të preferuar. Nëse kjo ndodh në mënyrë demokratike, s’ka asnjë problem. Altin Çomo duhet të bëjë fushatë me njerëzit, t’i bindë ata pse duhet ta besojnë sërish në krye të Libohovës. Betejën elektorale e ka me qytetarët, jo me drejtorët. Ky është një debat shterp dhe që nuk sjell asgjë, as për vetë kandidatin e djathtë dhe sigurisht as për qytetarët. /LibohovaOnline