Intervista/Muho: Bashkimi me Libohovën, interesant. Të fokusohemi te turizmi
Reforma territoriale e votuar nga parlamenti rreth një javë më parë, e reduktoi numrin e njësive vendore të Shqipërisë në 61 bashki. Në disa zona të vendit pamë që kishte edhe protesta, që më së shumti ishin të nxitura nga drejtuesit lokalë të cilët nga ndarja e re humbasin postet dhe influencën e tyre. Nga kjo reformë, Libohova mbeti sërish njësi më vete dhe është një prej tre bashkive të rrethit të Gjirokastrës, duke përfshirë rreth saj edhe komunat: Qendër Libohovë, Zagori, Antigone, Lunxhëri dhe Odrie. Me kreun e komunës Antigone, Ylli Muho, kemi realizuar një intervistë në fokus të së cilës është pikërisht ndarja e re administrative.
Zoti Muho, komuna që ju po drejtoni prej tre mandatesh tashmë iu bashkua Libohovës. A ishte ky varianti më i mirë i mundshëm, si e keni pritur këtë ndryshim?
Ne fakt ai preokupim që ka mbërthyer komisionin “Fino” tashmë të mbyllur me një produkt , kishte mbërthyer prej kohësh komunitetet përkatëse që prekeshin. Vetëm në shkencat ekzakte mund të kërkosh dhe pretendosh përsosmërinë, politika dhe ndërtimi i një harte të tillë, ndoshta kërkon të shkelësh dhe mbi interesa të caktuara, thjesht dhe vetëm për të nxjerrë një produkt, që sido t’ja bësh analizën do të ketë kundërshti. Në momentin e parë duket sikur 5 njesitë vendore që i bashkëngjiten Libohovës iu bien “spaletat” dhe krenaria, pasi ishin mësuar që gjithësecila prej tyre të kishte autonominë dhe fytyrën e vet. Sot mund të jetë kështu por vetëm sot, se kam përshtypjen që shumë shpejt do të mësohemi dhe pse jo do të themi “jam libohovit” kur do të bjerë puna për t’u identifikuar. Brenda kësaj njësie të madhe padyshim të gjitha njësitë që u bashkuan do të kenë ngjyrën e vet, traditën, zakonin, kostumin, tavolinën e shtruar, të zgjedhurit e vet etj etj. Për të qenë konçiz me pyetjen po ju them se ndarja është bërë mbi bazë lugine, ku majtas dhe djathtas ka dy njësi vendore, secila me një profil dhe histori të caktuar, pa harruar dhe bashkinë tërësisht minoritare siç është Bashkia Dropull. Personalisht kërkova për Antigonenë të ishte pjesë e Bashkisë Gjirokastër, si një detyrim perballë bashkëqytetarëve të mi, për afërsinë gjeografike, mundësinë për komunikim dhe në vijim të tradites së shkuar, ku nëse doje të kërkoje zgjidhje për një problem të caktuar do të trokisje padyshim në Gjirokastër .
Si e shihni perspektivën e kësaj njësie të re të formuar, pra Bashkisë Libohovë?
Në këndvështrimin e një të zgjedhuri vendor, siç jam në rastin tim s’dua të jem pesimist sepse mbas nesh vijnë ata që na kanë votuar dhe mbështetur, jo për t’i tërhequr zvarrë, por për t’i orientuar drejt, duke i folur hapur mbi avantazhet që ka reforma administrative ashtu siç me kurajo duhet të flasim pse jo edhe për disavantazhet që, e theksoj, ndoshta mund të ketë kjo reformë në sytë e mi apo të çdokujt që mund të ketë përgjegjësi të tillë. Hapi i parë është të mësuarit dhe puna e kujdesshme me të gjitha njësitë, pse jo puna “kokë më kokë” me gati të 38 fshatrat që i bashkëngjiten Libohovës si qytet, për të parë dhe mësuar që ne jemi një të tërë në këtë proçes, për kuptuar që shumë i rëndësishëm në këtë njësi të re do të jetë edhe Vithuqi (fshati më i vogël në Zagorie) edhe Asim Zeneli, edhe Suha tërësisht e harruar, edhe Erindi gjysmë malor, edhe Labovat historike, edhe Andon Poçi tërësisht vllah, edhe Nepravishta punëtore. Pra, të gjithë bashkë duhet të mesohemi dhe pse jo pa ndrojtje dhe me krenari të themi që jemi qytetarë të Bashkisë Libohovë. Përtej kësaj nuk duhet të lëmë pas dore politikat qeverisëse, për një frymë dhe investim të ri në këto qendra të reja administrative, të cilat padyshim kanë rol të rëndësishëm në këtë ndërmarrje të re, ende të paprovuar, por që duhet të jemi ne të zgjedhurit e sotëm që bashkë me qytetarët t’i tërheqim këto njësi drejt një perspektive që unë e shikoj me optimizëm.
Ku mendoni se duhet fokusuar puna për zhvillimin e kësaj njësie të re, në cilin sektor duhet investuar më shumë?
Në fakt është një ndër bashkitë më interesante në të gjithë rajonin e jugut, pasi përfshin një larmi ngjyrash të kostumeve të komuniteteve, një gjeografi e pasur, me fusha, kodrina e male ndër më të bukurat në vend. Kemi monumente kulturore të shumta, resurse natyrore nga më të rëndësishmet në të gjithë rajonin jugor. Pra, kemi avantazh që në pikënisje, por që duhet mirëadministruar. Kemi një kapital natyror, kulturor dhe njerëzor që duhen lidhur bashkë për t’i dhënë një fytyrë të re bashkisë së nesërme. Për mua padyshim që në fokus duhet të jenë investimet për zhvillimin e turizmit. Me potencialet që kemi mund të zhvillojmë turizmin kulturor, malor dhe gastronomik. Një zyrë moderne turizmi pranë kësaj bashkie do të ndihmonte shumë në këtë drejtim. Por sigurisht nuk duhet lënë pas dore zhvillimi i bujqësisë dhe blegtorisë, dy sektorë këto ku gjen gadishmërinë, përpjekjet dhe historitë e suksesit. Natyrisht që jo çdo gje mund të konsiderohet rozë në këtë proçes, pasi kemi avantazhin që une e përmenda, por edhe anët negative për të cilat duhet shumë punë, madje e sutudiuar për lidhjen dhe harmonizimin e këtyre zonave me infrastrukturën e nevojshmë rrugore, për të krijuar një unazë që të kapë njësitë e sotme vendore me njëra-tjetrën, në mënyrë që nesër ato të konsiderohen si një e tërë.
Çfarë mendoni se duhet bërë në drejtim të decentralizimit të kompetencave të pushtetit lokal, tani që reforma territoriale u miratua?
Ka pasur një ligj Nr.8652 “Për organizimin dhe funksionimin e pushteti lokal”, ku njësitë vendore kanë një sërë kompetencash, kompetenca që për fatin e keq asnjëherë nuk u zbatuan, qoftë në zhvillimin e territorit, në mbrojtjen e tij, në fushën e arsimit, shëndetësisë etj. Ka ardhur koha që gjithësecili të marrë hakën dhe përgjegjësinë e vet në këtë proçes. Mendoj se një duhet të jetë fokusi dhe drejtimi kryesor, shërbimi ndaj qytetarëve. Le të fokusohemi thjesht tek shërbimi, jo vetëm pse ne kemi një risi të re në drejtim të organizimit të ri, por dhe mos të zgjerohemi shumë drejt hallkave të tjera siç janë strategjitë, politikat lokale etj. Ka strutktura të tjera siç janë rajoni, qarku apo qeveria qëndrore që duhet dhe e ka për detyrë të bëj politika të tilla për t’i sjellë në njesitë e reja për implementim, natyrisht me konsulencën e përbashkët lokale e qëndrore. Por unë sërish shikoj si objektiv themelor në kuadër të decentralizimit të kompetencave, shërbimin ndaj qytetarëve. Kush operon drejt dhe mirë në këtë pikë, padyshim ka prekur suksesin dhe ka fituar “bastin” me pesimistët që ndoshta reforma ju ka lënë shije të hidhur.
A do të kërkoni votëbesim tjetër në zgjedhjet e ardhshme lokale, por kësaj here në një njësi më të madhe administrative?
Është një pyetje që dikë do ta përkëdhelte, por jo mua që kam tre mandate që kontribuoj në Antigone, komunën ku kam fituar bindshëm dhe me rezultate spektakolare. E para është ende herët për të folur. Sot jemi në fazën ku gjithëkush duhet të punoj pranë komunitetit që përfaqëson, për t’i bindur për dobitë dhe produktin e kësaj reforme. Gjithëkush duhet të përmbushë mandatin që ia njeh kushtetuta deri në ditët e fundit, madje sa më mirë të jetë e mundur, duke treguar kështu përgjegjshmëri dhe devocion përballë zgjedhësve. E dyta, mendoj se kjo zonë, kjo bashki kaq interesante është e mbushur plot me të rinj e të reja vizionarë, sa majtas ashtu edhe djathtas, të cilët duhet të vihen në dispozicion të forcave politike për të shpalosur platformat e tyre në dobi të Libohovës së nesërme. E treta, askush nuk duhet ta konsiderojë pronë apo atribut të vetin të qenit kandidat për kryebashkiak. Janë forumet dhe në fund qytetarët që të vënë përballë kutisë së votimit. Dhe, nëse merr “notë kaluese”, padyshim është një nder dhe detyrim shumë i madh përballë tyre.