Një tjetër i arrestuar në Lazarat, policia jep detaje nga arsenali i armëve të kapura dje
July 4, 2015
Një ditë pas zbulimit të arsenalit të armëve në Lazarat, policia jep më shumë detaje rreth këtij operacioni, si dhe njofton për arrestimin 21-vjecarit Baki Gjini, banues në Lazarat. Gjini u arrestua sepse ka kontaktuar dhe ndihmuar për të fshehur personin në kërkim Barjam Boci, 22 vjeç, për të cilin Prokuroria e Krimeve të Rënda ka lëshuar urdhër ndalimi si autor i dyshuar për ngjarjen e datës 24 qershor në Lazarat, ku mbeti i vrarë Ibrahim Basha dhe u plagosën dy kolegë të tij të RENEA-s.
Po kështu sipas policisë, ky shtetas ka tentuar për të fshehur në një vend më të sigurtë disa armë të fshehura nga personi në kërkim në afërsi të shkollës së mesme në Lazarat në një pusetë uji , armë që dyshohet se janë përdorur ditën e ngjarjes të cilat janë gjetur nga Policia gjatë mbasdites së ditës së djeshme.
Armët e gjetura dje në pusetën ujit janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale dhe konkretisht :
• 1 mitraloz i rëndë kundërajror 12.7 mm, me këmbalec,
• 1 mitraloz i rëndë 7.62 mm, model 54, me 1 trekëndësh mbështetës.
• 2 automatik kallashnikov , 4 karikatorë boshe dhe 2 me fishekë,
• 3 predha kundërtank.
• 2 mbushje të predhave kundërtank,
• 1 granat-hedhës,
• 1 kasetë metalike me 250 fishkë model 54,
• 1 shirit me 170 fishekë model 54,
• 1 shirit me 44 fishekë model 12.7,
• 1 arkë metalike me 50 fishekë model 54, kalibër 12.7,
• 1 arkë me 470 fishkë model 54, kalibër 7.62,
• 1 bidon 5 litërsh
• dhe 1 çantë lini me fishkë të ndryshëm.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë për veprime të mëtejshme.