Turizmi dhe Gjirokastra
Më 2005, Gjirokastra u klasifikua si pjesë e Trashëgimisë Botërore e mbrojtur nga UNESCO dhe që atëherë turizmi në këtë qytet ka pasur rritje. Është pikërisht kjo tendencë e cila ka çuar në zhvillimin e industrisë së turizmit familjar.
Në një nga pjesët më piktoreske të Gjirokastër, Pazari i Vjetër, zhvillojnë aktivitetin e tyre shumë artizanë, të cilët prodhojnë objekte tradicionale.
Ndër to mund të përmendim: “Dora e Artë” e suvenireve Gjirokastra, punimet e drurit Petridhi, të qylimave Bineri, gurgdhendasit Makri, etj. Megjithatë, industria e turizmit kluturor në këtë qytet është ende e paorganizuar mirë dhe me problematika të shumta si mungesa e paketave turistike cilësore, nevoja për një staf pritës të trajnuar, mungesa e mirëmbajtjes së objekteve Monument Kulture, problem i pronësisë së shtëpive Monument Kulture etj.
Ndikimi i turizmit në ekonominë e qytetit
Nga të dhënat e marra në Zyrën e Administrimit dhe Koordinimt të Qytetit Muze të Gjirokastrës të cilat rregjistrohen nga biletat e shitura në Kala dhe Antigone, rezulton rritje e numrit të turistëve vendas e të huaj nga njëri vit në tjetrin.
Nga këto të dhëna që kemi deri tani, vihet re një rritje e përgjithshme prej 26.2% e numrit të turistëve për 6-mujorin e parë të vitit 2014 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2013 pa marrë parasysh edhe formalitetin dhe rritja më e madhe është në numrin e turistëve të huaj që pothuajse është 2-fishuar.
Rritja e numrit të turistëve sjell rritjen e të ardhurave nga turizmi sepse turistët shpenzojnë për blerjen e shërbimeve si dhe të mirave material siç janë produktet artizanale. Kjo rritje e të ardhurave nga turizmi sjell rritjen e përgjithshme të të ardhurave dhe kjo do të thotë që qytetarët kanë më shumë para në duart e tyre, si pasojë kemi një rritje të konsumit e cila sjell rritje të mirëqenies, përmirësim i jetës në komunitet në periudha afatmesme dhe afatgjata.
Kjo duket qartë në ekuacionin e përgjithshëm makroekonomik të llogaritjes së GDP sipas metodës së shpenzimeve Y=C+I+G+NX, pra qytetarët me rritjen e të ardhurave të disponueshme konsumojnë më shumë dhe kjo rritje e konsumit sjell rritjen e GDP (Produkti Kombëtar Bruto). Aktivitetet e ndryshme kulturore siç ishte Festivali i Trashëgimisë Kulturore i cili u zhvillua për tre ditë radhazi, ndihmojnë në promovimin dhe zhvillimin e turizmit duke ndikuar në kalimin nga industria e turizmit familjar të paorganizuar mirë në hapat e para të zhvillimit të një industrie biznesi të konsoliduar.
Si mund të rritet turizmi në Gjirokastër?
Fatkeqësisht në Bashkinë Gjirokastër nuk ka një zyrë ku të marrësh informacion për numrin e saktë të turistëve, as në Bashki dhe as në Shtëpinë e Turistit nuk mbahen evidencat përkatëse për rregjistrimin e turistëve.
Gjithashtu edhe të dhënat e marra në Zyrën e Administrimit dhe Koordinimt të Qytetit Muze të Gjirokastrës nga shitja e biletave nuk janë plotësisht të sakta për shkak të informalitetit në ekonominë tonë. Prandaj, është e domosdoshme mbajtja e evidencave përkatëse të cilat do të shërbejnë për studimin e kërkesave të turistëve, për një numër të saktë të tyre në qytetin e gurtë e cila do të ndikojë në parashikimin dhe plotësimin e akomodimit nga hotelet dhe shtëpitë familjare të cilat po e shohin turizmin si një mikrobiznes qe ju sjell të ardhura si dhe trajnimin e personave që do të merren me ofrimin e shërbimeve cilësore. Për sa i përket informalitetit, vendosja e aparaturave elektronike të biletave në objektet më të vizitueshme të kulturës do të sjellë rritjen e të ardhurave në mënyrë të konsiderueshme, madje mund të themi me siguri se mund të dyfishohen. Pagesat e përsëritura si psh. biletë për hyrjen në Kala dhe biletë tjetër për hyrjen në Muzeun e Armëve ulin interesin për vizitueshmërinë e tyre pra kjo politikë nuk është e këshillueshme për t’u ndjekur por, do jetë më efektive vendosja vetëm e një bilete.Problemi i paketave turistike zgjidhet duke bërë të mundur përgatitjen dhe ofrimin e paketave nga persona të trajnuar dhe specializuar në ofrimin e shërbimeve cilësore dhe kjo do të bëjë të mundur jo vetëm rritjen e numrit të turistëve vendas dhe të huaj por, edhe zgjatjen e qëndrimit të tyre më shumë se 24 orë. Krijimi i Muzeut Historik brenda Tunelit të Luftës së Ftohtë ku të prezantohet gjithë periudha e regjimit komunist, mendësitë dhe pasojat e komunizmit është një tjetër mundësi për të njohur nga afër historinë e diktaturës dhe kjo e shfrytëzuar sot në funksion të turizmit.
Zhvillimi i aktiviteteve të shumta kulturore që promovojnë më së miri turizmin në Gjirokastër dhe gjallërojnë jetën e gjithë qytetit si dhe zgjerimi i hartës së turizmit duke përfshirë edhe turizmin malor si një investim i mirë në këtë biznes, janë motorrë të gjenerimit të të ardhurave.
Nga kjo analizë e thjeshtë e bërë deri tani, duket qartë se Gjirokastra është qyteti ku turizmi mund të zhvillohet gjatë gjithë vitit, me plot vende për t’u vizituar dhe mbajtur mend. E gjithë kjo pasuri kulturore ka nevojë për më shumë vëmendje nga institucionet që janë përgjegjëse për Kulturën, për sipërmarrës që duan të investojnë në industrinë e turizmit dhe për Manaxherë të Trashëgimisë Kulturore në mënyrë që turizmi të shndërrohet në shtyllën kryesore të zhvillimit ekonomik të këtij qyteti./tema