Refleksione mbi pushimet në Libohovë e Gjirokastër
Ditët e fundit të qershorit, u nisa me qejf të madh për të kaluar ca kohë në Jug. Do qëndroja në Gjirokastër dhe, në Libohovë do veja sa herë të doja. Mora dhe makinën me vete që të isha i pavarur nga oraret e autobuzëve. Mendoja të rrija gjatë, pse jo, ku do gjeja vend më të mirë për të kaluar verën. Por më ndoqi fati i keq. Në Gjiropkastër dy ditë me rradhë s’erdhi asnjë pikë ujë, por edhe kur komshinjtë kishin, tek apartamenti që u vendosa unë, për ndonjë defekt që s’e gjeta dot, s’pashë ujë me sy për plot nje javë që zgjatën pushimet e shumëpritura.
Një komshije, libohovite dhe ajo, s’më la pa ujë. Kuptohet që të nesërmen e mbrritjes në Gjirokastër, vajta në Libohovë. U çmalla me miqtë që më prisnin dhe me një mik e kushëri të veçantë që kishte ardhur nga Amerika, Ilia Verdhi. U ulëm te klubi te rrjedha e Zhepës. Porosita si fillim një kafe.
Ndryshe nga zakonisht që pij makjato, e mora turke sepse s’kishte korrent. E pranova se e shoqërova me ujë të ftohtë nga Zhepa. Për katër ditë që vajta në Libohovë, vetëm një ditë piva kafe ekspres, se ai avazi i dritave është gjithmonë prezent. Ditën e dytë e planifikova të rrija në Gjirokastër. Për mua Gjirokastra ashtu dhe si Libohova ka një efekt të fortë tërheqës. Që në fëmijërinë time, Gjirokastra më ka pëlqyer shumë, është një qytet madhështor dhe, elegant njëkohësisht dhe, sa herë e vizitoj atë, e sodis për orë të tëra dhe prapë s’ngopem dot. Në mënyrë të veçantë më pëlqen ta shoh nga kalaja dhe nga lokalet që janë te vendi ku dikur ishte busti i Enver Hoxhës, biles këto radhë që i përkasin Gjirokastrës, i hodha në letër te lokali, teksa pija kafe. Nga kjo pikë dominuese, lagjet “Varosh”, “Palorto” dhe deri sipër në “Dunava”t , sa të ha syri, duken aq fantastike dhe madhështore, sikur i sheh nga avioni. Ka kohë që lokalet aty s’janë më ata të parët, megjithatë unë s’ndahem dot nga ai vend, se dua ta shoh Gjirokastrën nga ai pozicion. Porosita një kafe. Pas pak minutash, kamerieri me lëshoi në tavolinë filxhanin e kafesë pa e hapur gojën dhe u largua. E thirra të kthehej dhe, ai e kuptoi që unë prisja diçka më tepër. Pa komunikuar me fjalë, por vetëm me shenja, ai më në fund foli: “Ka dy ditë që s’ka ujë, nëse do ka vetëm me shishe”. Nuk e di, por e ndjeva veten të fyer e të poshtëruar, megjithatë i thashë të shkonte.
As që e preka me dorë filxhanin e kafesë se dukej açik që ishte i palarë. Në çast tërë ajo kënaqësi që ndjeja duke soditur atë pamje mahnitëse të qytetit, mu kthye në mllef dhe inat të brendshëm dhe, ai qytet madhështor e hijerëndë, mu duk si një fshat i madh, i braktisur e i paralizuar që, s’më zgjonte më asnjë fantazi dhe dëshirë. Ai qytet relativisht i madh për kohën kur u ndërtua, është katandisur për të ardhur keq. Një poshtërim që i bëhet popullsisë së një qyteti me traditë për elementin bazë të jetës dhe, nga ana tjetër, pushtetarët vendorë të nginjur e të fryrë që me siguri ata dhe tarafi i tyre, e kanë futur ndonjë sulinë fshehtas dhe që s’u mungon kurrë uji.
I njëjti avaz edhe në Libohovë, por në këtë të fundit shpesh mungon edhe energjia elektrike, dy të këqia bashkë që ua ka sjellë shpirtin në majë të hundës libohovitëve. Të dielën e vetme të vizitës sime në Jug, isha i ftuar për drekë te kushëriri dhe miku im Ilia, që e përmenda më sipër. Arritëm në shtëpinë e tij në Kalista rreth orës 13. E zonja e shtëpisë kishte ndezur pompën dhe priste të vinte uji që, edhe kur vinte, nuk zgjaste më shumë se 20 minuta. E ndjeva që ishte e shqetësuar; të më priste dhe të më nderonte mua që njihesha për herë të parë me të, apo të priste ujin. Ishin ditët e fundit të tyre në Libohovë dhe do ktheheshin në Amerikë. “Mezi pres të ikim”,- tha ajo. “Pse s’rrini deri në vjeshtë, ku do gjeni vend dhe klimë më të mirë se këtu”,- i thashë unë. “Nuk e sheh çpo heqim? Dhe e keqja është se nuk caktojnë një orar fiks, por e lëshojnë ujin kur t’i teket, duke na torturuar të rrimë në përgjim”,- e mbylli ajo bisedën.
Libohova ato ditë që u ndodha atje, çuditërisht m’u duk e pistë, një problem më shumë, veç pamjaftueshmërisë së ujit dhe dritave. Pushtetarët libohovitë ishin në ethe, se ato ditë flitej që Libohova s’do ishte më bashki më vete dhe do bashkohej me Gjirokastrën, me fjalë të tjera qanin hallet e tyre. Mbase tani që u qetësuan, do t’i ndjekin më mirë hallet dhe problemet e komunitetit. Një miku dhe komshiu im në Tiranë, u ndodh për punë në Gjirokastër dhe, po bëhej gati të kthehej. Kaq më mjaftoi dhe mua për të mbledhur plaçkat e për tu kthyer bashkë me të. Por keni parë ju që më mori malli prapë për vendlindjen dhe, mendoj të zbres prapë. Eh, i shkreti vendi im. E dua edhe kështu siç është, me halle dhe me derte, e dua siç do një prind fëmijën e tij të sëmurë, duke pritur me durim e shpresë që të shërohet sa më shpejt.