Investim për sistemimin e shtratit të lumit, kryebashkiakja e Libohovës inspekton punimet
Një investim me vlerë rreth 21 milionë lekë të reja ka nisur prej ditësh pranë fshatit Suhë, për të sistemuar shtratin e lumit, i cili nga prurjet gjatë dimrit dëmtonte tokat në fushë.
Investimi është një financim i PNUD-t dhe pritet të përfundojë brenda dy muajsh.
Këtu janë punësuar rreth 25 vetë nga Libohova. Gjatë ditës së sotme kryebashkiakja e Libohovës, Luiza Mandi, ka qenë në terren për të inspektuar nga afër punimet në këtë zonë.
Në bisedë me përfaqësuesit e firmës që kryen punimet dhe punëtorët, Mandi shprehu mbështetjen e Bashkisë Libohovë për krijimin e të gjitha lehtësirave që ky investim të përfundojë në kohë dhe sipas parametrave të parashikuara në projekt.
Nga mungesa e ndërhyrjes në vite, shumë prej tokave që gjenden pranë shtratit të lumit ishin dëmtuar dhe rrezikonin të shkatërroheshin më tej.