Në shtator nis “gërshëra” për mësuesit, mbetësit në provim përjashtohen nga arsimi
Duke nisur nga muaji shtator i këtij viti Ministria e Arsimit dhe Sportit do të nisë aplikimin e rregullave të reja për mësuesit e shkollave 9-vjeçare dhe gjimnazeve. Mësuesit që nuk do të marrin pikët e mjaftueshme në testimin e përvitshëm që përsëritet dy herë, do të përjashtohen nga sistemi arsimor.
Në praktikat e ndjekura deri më tani të parashikuara edhe në udhëzimin në fuqi, mësuesit të cilët nuk marrin pjesë dhe ata që nuk arrijnë të kualifikohen kanë të drejtë ta japin sërish provimin. Ndërkohë që, duke filluar nga muaji shtator, nuk do të ketë më tolerancë për mësuesit mbetës. Këtë vit , provimet për kualifikimin e mësuesve u zhvilluan përgjatë muajit maj, ndërsa 30 % e mësuesve nuk morën pjesë në testim. Sipas burimeve zyrtare, Ministria e Arsimit është në gatishmëri për një kualifikim serioz të mësuesve.