Shfajësohet Rektori i “Eqrem Çabej”: Nuk dija gjë për dokumentarin pro Vorio-Epirit
Rektori i Universitetit “Eqerem Çabej” në Gjirokastër, Gëzim Sala ka reaguar pas skandalit me dokumentarin e prodhuar nga Departamenti i Gjuhës, Letërsisë dhe Qytetërimit Grek, në të cilin i bëhet jehonë ushtarëve grekë dhe luftës italo-greke, duke mohuar të ketë pasur dijeni për të.
Përmes një njoftimi ai thotë se është njohur me ekzistencën e një dokumentari të tillë nëpërmjet medias, ndërsa shton se nuk ka asnjë dokument nga Departamenti i Gjuhës, Letërsisë dhe Qytetërimit Grek, i cili është edhe prodhuesi i dokumentarit, mbi financimin e tij.
Sipas rektorit, vënia e logos së Departamentit të Gjuhës, Letërsisë dhe Qytetërimit Grek, është veprim individual i përgjegjësit të këtij departamenti Panajot Barka.
Deklarata e plotë e rektorit të Universitetit të Gjirokastrës Gëzim Sala
Duke u nisur nga publikimi në median elektronike dhe të shkruar mbi çështjen e skandalit të publikimit në faqen zyrtare të Universitetit “Eqrem Çabej” Gjirokastër, më specifikisht në faqen e kushtuar Departamentit të Gjuhës , Letërsisë dhe Qytetërimit Grek rektori i Universitetit“Eqrem Çabej” Gjirokastër Prof. Dr Gëzim Sala dha këtë deklaratë:
“ Jam njohur nëpërmjet medias televizive lidhur me problemin në fjalë, deklaroj me përgjegjësi institucionale se nuk disponoj asnjë dokument zyrtar nga ana e Departamentit të Gjuhës , Letërsisë dhe Qytetërimit Grek lidhur me përmbajtjen dhe financimin e këtyre dy dokumentarëve.
Gjithashtu deklaroj se hedhja e këtyre dy dokumentarëve me logon e Departamentit të Gjuhës, Letërsisë dhe Qytetërimit Grek dhe Universitetit “Eqrem Çabej” Gjirokastër nuk është bërë me miratimin e asnjë strukture akademike, shkencore dhe administrative të Universitetit “Eqrem Çabej” Gjirokastër por është një veprim individual i përgjegjësit të Departamentit të Gjuhës, Letërsisë dhe Qytetërimit Grek z. Panajot Barka.
Në kontekstin institucional jemi duke verifikuar problemin e krijuar dhe do të marrim masat e nevojshme për të nxjerrë përgjegjësit në mënyrë që në të ardhmen të mos përdoret institucioni për projekte që nuk kanë të bëjnë me misionin akademik të Universitetit “Eqrem Çabej” Gjirokastër.