Selfie për Ditën e Verës dhe një dhuratë gjirokastrite për Metën (FOTO)
Ditën e Verës kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta zgjodhi ta festojë në Gjirokastër, në një aktivitet të organizuar nga të rinjtë e kësaj force politike.
I shoqëruar nga deputeti Vangjel Tavo dhe kryebashkiakja Zamira Rami, Meta tha në një fjalë përshëndetëse se janë të rinjtë që talentin e tyre mund të marrin në duar fatin vendit, duke e parë të ardhmen e tyre në Shqipëri.
“Duhet të kemi më shumë të rinj dhe të reja të motivuar këtu në Gjirokastër, duhet të kemi më shumë të rinj e të reja të talentuar si këtu në Gjirokastër. Duhet të kemi më shumë të rinj dhe të reja solidarë dhe të bashkuar si këtu në Gjirokastër, sepse rinia mbetet fuqia dhe shpresa më e madhe për të ardhmen e Gjirokastrës dhe të gjithë Shqipërisë”, – u shpreh Meta.
Të rinjtë e këtij qyteti kishin menduar një dhuratë të veçantë për kryetarin Meta, LRI të gdhendur në një punim me dru, ndërsa nuk munguan edhe selfiet që kryeparlamentari bëri me fëmijët.