Lazaratasi gëlltiti drogën në momentin e kapjes, policia jep detaje nga përleshja
Pak orë pas arrestimit policia e Tiranës ka dhënë sqarime mbi incidentin mes një lazaratasi dhe forcave të rendit sot në kryeqytet në zonën e Zogut të Zi. Sipas policisë, paraprakisht ishte marrë njoftim se një shtetas nga Lazarati me rrezikshmëri shoqërore po lëvizte pranë sheshit “Karl Topia”.
Bëhej fjalë për shtetasin Bako Buzheri, 31-vjeç, i shoqëruar me shtetasin Tahir Brahimi, 30-vjeç.
Në momentin që atyre u janë afruar forcat e rendit, ata kanë qëlluar me grushte.
“Në këto momente njëri nga punonjësit e policisë është detyruar të bëjë qitje në ajër me armën e zjarrit duke thirrur “Policia Kriminale, Mos Lëvizni”.
Sapo është bërë i mundur neutralizimi i këtyre shtetasve, Bako Buzheri, ka nxjerr një sasi të dyshuar si lëndë narkotike kanabis sativa, dhe e ka gëlltitur.
Punonjësit e policisë kanë bërë të mundur që të sekuestrojnë një pjesë të kësaj lënde narkotike”, sqaron policia.
Gjatë kontrollit fizik të shtetasit Tahir Brahimi policia gjeti dhe sekuestroi një numër i konsiderueshëm fara të dyshuara narkotike.
Shtetasi Bako Buzheri ka qenë i dënuar më parë nga Gjykata e shkallës së Parë për Krimet e Rënda, me 21 vite heqje lirie për veprat penale të, “Heqje me të padrejtë e lirisë” dhe “Shtrëngimit për vënie pasurie”, por është lënë i lirë duke u shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Lartë.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i dy shtetasve të lartpërmendur dhe materialet procedurale do ti kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatë Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale ”Prodhim dhe Shitje e narkotikeve në bashkëpunim” dhe “Kundërshtim me dhunë i punonjësve të policisë”.