Lazarati i rikthehet kultivimit të kanabisit, zbulohen 107 rrënjë në oborrin e një banese

LazaraatPolicia e Shtetit po raporton pothuaj çdo ditë për asgjësim të mijëra rrënjëve kanabis sativa. 2 vjet nga rënia e Lazaratit, që u konsiderua si beteja e fituar me kultivuesit e trafikantët, plantacione me kanabis janë mbjellë në të gjithë vendin. Së fundi, kultivimi është kthyer edhe në Lazarat.

Policia raportoi se kishte asgjësuar 107 rrënjë kanabis dhe se kishte arrestuar si kultivues shtetasin Lenard Basha, 40 vjeç, banues në këtë fshat. 107 bimët, që kërkojnë një sipërfaqe të konsiderueshme për kultivim, policia thotë se Basha i kishte mbjellë në oborrin e tij.

Në raport me sasinë e marijuanës që prodhonte ky fshat deri në vitin 2013, numri bimëve të sekuestruara është tërësisht i papërfillshëm. 

Zona është mbajtur e pastër vetëm për vitin 2015, përiudhë në të cilën nuk u raportua ndonjë rast kultivimi. Rikthimi i mbjelljes së kanabisit në Lazarat është vetëm tregues simbolik e asaj se çfarë po ndodh në të gjithë territorin e vendit.

Policia raporton shkatërrim plantacionesh me dhjetëra mijëra bimë në Tepelenë, Memaliaj, Vlorë, Sarandë, Gjirokastër, Këlcyrë, Skrapar, Përmet, Fier, Kavajë, Kurbin, Krujë, Mirditë, Malësi e Madhe, Shkodër, Dibër, Mat, Bulqizë, Elbasan, Korçë etj.

Harta e zonave që po kultivojnë kanabis është zgjeruar. Referuar të dhënave të policisë italiane, që ka ndihmuar në monitorimin e territorit me operacione nga ajri, gazeta Corriere Della Sera shkruante në fillim të qershorit të këtij viti se plantacionet e drogës në Shqipëri janë dyfishuar dhe se biznesi kriminal po qarkullon miliarda euro duke prodhuar më shumë se 1 mijë ton drogë në vit.