Lanë Amerikën për të jetuar 2 vjet në Libohovë, njihuni me Judy Glenn dhe Elisabeth Quimby

amerikanet libohove okNë një kohë kur shumë libohovitë, sidomos të rinjtë, tentojnë të largohen në emigracion apo në qendrat e mëdha urbane, të shtyrë nga papunësia dhe mungesa e perspektivës si pothuajse në çdo vend të vogël, ka shtetas të huaj që vijnë në këto anë jo thjesht si turistë, si vizitorë të zakonshëm.

Që prej muajit maj të këtij viti, dy shtetase amerikane janë banoret më të reja të Libohovës. Judy Glenn dhe Elisabeth Quimby  kanë vendosur të qëndrojnë këtu për 2 vjet, në përmbushje të misionit që kanë marrë prej organizatës “Peace Corps” (Korpusi i Paqes).

#LibohovaOnline sjell më poshtë rrëfimin e dy amerikaneve, që ndonëse me diferencë të konsiderueshme moshe me njëra-tjetrën, bashkohen në punën që kanë nisur në Libohovë dhe dëshirën për ta njohur këtë vend jo thjesht si turiste kalimtare.

Çfarë i sjell dy amerikane në një qytezë të vogël si Libohova në jug të Shqipërisë?

Judy: “Peace Corps është një organizatë që përpiqet të ndihmojë komunitetet duke vendosur ekspertë të fushave të caktuara aty për të punuar dhe ndihmuar në fushat që ata vetë mbulojnë. Unë kam qënë mësuese për më tepër se 30 vjet dhe ndjej se eksperienca ime me studentë të moshave të ndryshme dhe mësues të çdo lënde do të jetë e dobishme. “Peace Corps” ishte ëndrra ime që fëmijë dhe sot kam lënë çdo gjë mbrapa, familjen, miqtë dhe një punë ku paguhesha shumë mirë sepse brenda vetes e ndjeja që duhet të isha në Shqipëri dhe të punoja me këta njerëz”

Elisabeth: “Isha unë që kërkova të isha në një qytet të vogël si Libohova sepse komuniteti në këto vende është më i lidhur me njëri-tjetrin. Për më tepër njohjet në qytetet e mëdha janë më sipërfaqësore dhe nuk më pëlqen kjo gjë. Më pëlqen të kem njohje dhe lidhje të pastra me njerëzit”

Na shpjegoni me pak fjalë cili është misioni juaj këtu dhe sa kohë do të qëndroni?

Judy: “Misioni im në Libohovë është të përmirësoj aftësitë gjuhësore të çdokujt që do të përvetësojë gjuhën angleze të folur dhe të shkruar, të ndihmoj bizneset në fushën e turizmit dhe gjithashtu të sjell një frymë të re në metodat dhe teknikën e mësimdhënies. Jam këtu për ju dhe do të jem këtu për 2 vjet”

Elisabeth: “Misioni im këtu është mësimdhënia. Do të jap edukim shëndetësor dhe aftësim për jetën në shkollën 9-vjeçare dhe të mesme. Njësoj si Judy edhe unë do të jem në Libohovë për 2 vjet”

Ёshtë hera e pare që vini në Shqipëri? Cilat ishin pritshmëritë tuaja dhe si ju duket vendi ynë?

Judy: “Po, është hera e parë që vij në Shqipëri, por kam dashur të vij para shumë kohësh për shkak të kulturës dhe historisë së shqiptarëve të dashur dhe mikpritës. Në fakt gjeta atë çfarë prisja, jam e kënaqur dhe e mrekulluar. Shqipëria më duket shumë herë më e mirë nga çfarë mendoja, shumë herë më e bukur nga sa e imagjinoja, më mikpritëse dhe e dashur nga çfarë kisha dëgjuar.

Elisabeth: “Po edhe për mua është hera e parë në Shqipëri. Të jem e sinqertë nuk kisha asnjë pritshmëri kur erdha këtu sepse doja të vija në Shqipëri me mendje të hapur dhe pa asnjë paragjykim. Doja ta provoja Shqipërinë jo si një turiste, por si dikush që vjen dhe do të jetojë për njëfarë kohe këtu. Shqipëria është shumë shumë e bukur dhe në fakt nuk e prisja këtë. Njerëzit, kur unë flas shqip, bëhen më të ngrohtë, miqësorë dhe ftues”

Po në Libohovë si ju kanë pritur? Si është eksperienca juaj e deritanishme?

Judy: “Libohova më priti krahë hapur dhe zemërplot dhe unë e falenderoj qytetarët libohovitë për atë mikpritje. U ndjeva si një yll televizioni. Fëmijët janë të mrekullueshëm, të etur për të mësuar gjëra të reja dhe të paduruar për të luajtur. Më pëlqen sfida e ngjitjes në mal dhe ndjesia që marr nga ngjyrat e lindjes dhe perëndimit të diellit këtu. Dhe gjithashtu frutat dhe perimet janë… uou..!

Elisabeth: “Çdokush ka qënë shumë miqësor dhe mikpritës, dua të them me gjërat e përditshme në përgjithësi. Njerëzit janë gjithmonë të gatshëm për të ndihmuar. Fëmijët gjithashtu janë gazmorë dhe të shoqërueshëm. Ekziston një ndjenjë e përgjithshme në komunitet që unë dhe Judy jemi të mirëpritura këtu dhe komuniteti na ndihmon që ne t’ia dalim mbanë me sukses në misionin tonë”

A ka ndonjë gjë që ju ka bërë më shumë përshtypje deri më tani në Libohovë? Qoftë për mire, ndoshta dhe diçka që nuk ju pëlqen.

Judy: “Jam vërtet e mahnitur nga traditat dhe kultura libohovite. Mund të them se i dashuroj. Gatimet tradicionale janë fantastike dhe unë jam duke mbledhur shumë receta të cilat mundohem t’i gatuaj vetë. Hisoria, Libohova ka kaq shumë histori dhe është mbreslënëse. Gjëja që nuk më ka lënë shije të mirë është shkatërrimi i gjërave me vlera historike dhe neglizhenca në mirëmbajtjen e tyre, shkatërrimi i parkut të fëmijëve, mbeturinat nëpër rrugë në mëngjes para pastrimit”

Elisabeth: “Gjëja që më ka bërë më shumë përshtypje deri tani janë fëmijët. Ata janë gjithmonë të gatshëm për të mësuar gjëra të reja dhe kjo është vërtet inkurajuese. Gjëja që nuk më pëlqen janë buburrecat dhe insektet e ndryshme që arrijnë të futen në shtëpinë time. Madje dhe kryetarja e bashkisë më këshilloi të kem kujdes nga akrepat. Përgjigjja ime ishte “Nuk ka akrepa”. Pastaj një ditë papritur gjeta akrepa në shtëpinë time”

A keni një mesazh për banorët e Libohovës duke qenë se do të jetoni për një kohë relativisht të gjatë këtu?

Judy: “Nuk jam këtu për t’ju ndryshuar ju si njerëz, jam këtu për t’ju bërë të kuptoni se mundesitë për të pasur një jetë më të mirë në Shqipëri ekzistojnë. Unë besoj se është në dorën tuaj për ta bërë këtë një nga vendet më të mira në botë në qoftëse ju punoni së bashku për këtë qëllim dhe besoni në këtë ide”

Elisabeth: “Jam shumë e lumtur që jam këtu dhe që punoj me fëmijët. Të punosh me fëmijët do të thotë t’i ndihmosh ata në hapat e parë të formimit të personalitetit të tyre dhe krijimit të ideve, pa ndërhyrë në mënyrën si ata mendojnë. E rëndësishme është që së bashku të ndërtojmë një shoqëri të lirë, mendjehapur dhe totalisht pa paragjykime. Ky komunitet ka lënë mbresa të thella te mua deri tani dhe shpresoj që të jetë po kaq inkurajues e mbështetës për çdo gjë dhe në vazhdim. Jeni të mrekullueshëm”.

13912370_168440560246243_7552498964285637046_n14114027_1136381836407478_1966371591_o13557694_10209410164032113_1727893653531529861_n14124128_1136381839740811_672072543_o14138404_1136381843074144_1258671683_n14111757_1136381793074149_169373951_n13781974_159462297810736_1440167810008078758_n13620699_159462831144016_4403821068717252434_n