Kampi Rajonal i Restaurimit, studentë e profesionistë të rinj nga Ballkani mblidhen në Gjirokastër
Më shumë se 20 studentë dhe profesionistë të rinj nga 6 vende të Ballkanit janë mbledhur në Gjirokastër, për të marrë pjesë në Kampin e 31-të Rajonale të Restaurimit që do të trajtojë temën “Konservim dhe interpretim i monumenteve të kulturës”.
Pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të përfitojnë dijet më të fundit në fushën e restaurim-konservimit dhe interpretimit të trashëgimisë nga ekspertë të njohur nga Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Greqia, Italia, Anglia, dhe Suedia.
Kampet Rajonale të Restaurimit organizohen në partneritet me Ministrinë e Kulturës, përmes Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Gjirokastër, si dhe mbështeten financiarisht nga Agjencia Ndërkombëtare Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim (SIDA).
Punët gjatë Kampit Rajonal të Restaurimit do të konsistojnë në një larmishmëri projektesh restauruese në banesat historike të Gjirokastrës, si dhe punë dokumentuese dhe interpretuese. Ndërhyrjet do të zhvillohen në tri banesa monument kulture të kategorisë së 1-rë: Banesën Angoni, në lagjen Dunavat dhe banesat Jaho-Babaramo dhe Toro në Palorto.
Ndërhyrjet restauruese do të gërshetohen edhe me vizita studimore në pikat më tërheqëse dhe muzetë e Gjirokastrës, në kishën unike byzantine të Labovës së Kryqit dhe në Butrint.
Kampet Rajonale të Restaurimit organizohen nga CHwB Shqipëri dhe përfaqësojnë një model trajnimi të thjeshtë dhe të suksesshëm, i cili nisi në vitin 2007 në Shqipëri dhe tani është përhapur në katër vende të tjera të Ballkanit. Objektivat kryesore të kësaj platforme edukative janë përdorimi i trashëgimisë kulturore për ndërtimin e marrëdhënieve mes profesionistëve të rinj, duke krijuar kushte për paqe dhe demokraci, dhe për të ruajtur mjeshtëritë dhe teknikat tradicionale.
Organizata “Trashëgimia Kulturore pa Kufij“ i është dedikuar mbrojtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore prej më shumë se 20 vjetësh. Më shumë informacion për CHwB Shqipëri mund të gjeni në faqen web.