Për tre ditë Gjirokastra në festë, nis edicioni i shtatë i festivalit “Argjiro Fest”
Qyteti i Gjirokastrës dhe zona muzeale e tij, janë shndërruar në një arenë festivali, “Argjiro Fest”, eventi i traditës mbarëballkanike po zhvillon edicionin e tij të shtatë, duke hyrë në kalendarin e ngjarjeve më të rëndësishme kulturore të qytetit.
Aktiviteti ka filluar me paradën e kostumeve popullore, ku 8 grupet e vendeve pjesëmarrëse nga Greqia, Mali i zi, Maqedonia, Kosova, Bullgaria e Shqipëria u pritën nga kryetarja e Bashkisë së Gjirokastrës në sheshin e Çerçizit.
Ndërsa përgjatë pazarit karakteristikë kanë zënë vend artizanë të ardhur nga treva të ndryshme shqipfolëse,të cilët thonë se këto panaire shërbejnë për të vendosur ura bashkëpunimi.
Natën e parë të festivalit “Argjiro Fest”janë ngjitur në skenën e ideuar si një ode gjirokastrite 4 grupe Gjirokastra, Halaska e Selanikut, Lidhja e Prizerenit e Kosovës (Kosovë) dhe Burimet e Sharrit nga Tetova.
Për tre ditë me rradhë Argjiro Fest do të sjellë koncerte, ekspozita në pikturë apo panaire kulinarie. Eventi synon promovimin e vlerave të qytetit, për të nxitur turizmin, që Gjirokastra e ka vënë në themel të zhvillimit të saj ekonomik.