Këtë vogëlush po e kërkojnë të gjithë…
Të gjitha mediat britanike janë duke shkruar për një vogëlush që i ka dërguar të atit në parajsë një letër. Britanikët janë vënë në kërkim të gjetjes së letërshkruesit të vogël nga Skocia, që ka prekur mjaft zemra.
Ai e ka vendosur letrën në një tullumbac me helium që është gjetur nga dikush tjetër. Ky person tashmë është i vendosur ta gjejë duke botuar historinë në mediat më në zë të Britanisë. Qëllimi i tij është që t’i blejë dhuratat që vogëlushi i ka kërkuar të atit për Krishtlindje.
Letra prekëse është shkruar më 1 dhjetor 2016, ku ai shpreh mallin për të atin duke e pyetur: “E di që je lart në parajsë, por a je mirë?”.
Në letër ai shkruan:
“Përshëndetje babi, po të shkruaj një letër për të të thënë sa më mungon dhe për të dhënë disa të reja!
Jam i sigurtë që ti e di që jam në kujdestari, pasi mami është sëmurë dhe mua më dhemb veshi që të hënën. Nesër largohemi.
Më mungon vërtetë shkolla dhe ti. E di që je në parajsë, por a je mirë?
Uh, po, para se të iki kjo është ëndra ime dhe lista për Krishtlindje.
Ëndrra ime për ty babi është të vendosësh një letër poshtë jastëkut tim.
Lista ime për Krishtlindje: Çizme, astros, një portë rrjetë, topin e ri të Premier League dhe fanellën e Realit të Madridit.
Pafshim babi, të dua!”
Stuart Mc Coll, personi që gjeti letrën, ka thënë për Dunfermline Press se misioni i tij është ta gjejë këtë fëmijë dhe ta ndihmojë duke i blerë dhuratat e Krishtlindjeve.
“Është shumë e dhimbshme ta injorosh. Nuk kam bërë nga këto gjëra më parë, por kjo është vërtetë një histori tragjike dhe do të ishte shumë mirë të bënim diçka ta ndihmonin këtë njeri që po kalon një periudhë të vështirë. Të gjithë jemi përfshirë dhe jemi shumë njerëz që duam t’i dhurojmë këto dhurata. Por fillimisht na duhet ta gjejmë këtë fëmijë! Mesa duket i pëlqen shumë futbolli!”, ka thënë Mc Coll.