Ruho Bineri, mjeshtrja gjirokastrite e endjes së sixhadeve
Mërmërima e avlëmendit për punimin e qilimave dhe punime të tjera dekorative tashmë nuk është diçka e huaj në Pazarin karakteristik të Gjirokastrës. Diku, nga brendësia e njërës prej godinave të gurta, dëgjohet tingulli i drunjtë i avlëmendit për punimet në tekstil. Dyqani ku është vendosur avlëmendi tradicional është fare pranë Qafës së Pazarit 300 vjeçar. E moshuara Ruho Bineri është përkulur mbi trokashkën e avlëmendit për të kaluar njërën prej fijeve të radhës të qilimit me ornamente dhe zbukurime tradicionalë. Prej vitesh ajo merret me punimet tradicionale në tekstil dhe tezgjah duke përfshirë këtu punimet e qilimave, sixhadeve dhe llojeve të tjera të tekstilit tradicional. Gjithçka ajo e realizon mbështetur mbi elementin tradicional të punimit në tezgjah ndërkohë që edhe dizenjoja e punimeve është me motive tradicionale. Përgjatë mureve dhe mjediseve të tjera të dyqanit të saj të gurtë, janë vendosur qilima dhe sixhade të punuara në mënyrë karakteristike. Në to, dallohen gjithfarë ornamentesh duke filluar me botën e luleve, shpendëve madje deri tek sahati i gurtë i Kalasë së Gjirokastrës dhe shqiponja dykrerëshe e Flamurit Kombëtar. “Prej 32 vitesh,- shprehet Ruho Bineri,- kam punuar në Ndërmarrjen e Punimeve Artistike në Gjirokastër. Zanatin e kam nisur qysh në moshën 18 vjeçare”. Plot melankoli dhe nostalgji ajo kujton ditën e parë të punës. “Sapo kisha përfunduar gjimnazin dhe arrita të siguroja një vend pune në Ndërmarrjen Artistike”-thotë ajo.
Në vitet 1960-’70 kjo ndërmarrje ishte njëra prej linjave më të suksesshme të prodhimeve artistike në Shqipëri. Punonjësit e saj ofronin për tregun e atyre viteve një sërë prodhimesh artistike duke filluar nga punimet në dru, kashtë, tekstil etj. “Dëshira për të punuar në linjat e përpunimit tradicional të tekstilit ishte e madhe”,- shprehet ajo. Fillimisht për të ishte pak e vështirë të ambientohej me makineritë dhe modelet e ndryshme. “Me këto punime gjatë viteve të kaluara mua më kishte lidhur vetëm ndonjë qëndisje me grep”,- thotë ajo. Me kalimin e viteve, Ruhia u punësua në linjat e përpunimit të tekstilit. Fillimisht ndjente vështirësi por me kalimin e kohës duart dhe gishtat fituan instinktin e një tezgjahisteje të vërtetë çka bënte që qilimat, sixhadetë si dhe punimet e tjera në tekstil të endeshin pa vështirësi dhe plot dëshirë nga duart e saj të shkathëta. “Me sa më kujtohet atëherë,- thotë ajo,- prodhonim edhe punime artistike për eksport çka bënte që ne vajzat e reja ta ndienim veten krenare që sixhadetë dhe qilimat e endura nga duart tona kalonin kufirin e vendit për tu ekspozuar diku gjetkë”.
Vitet rendnin natyrshëm ndërkohë që duart e tekstilistes tradicionale vazhdonin të kishin të njëjtën shkathtësi gjatë punimeve të ornamenteve tradicionale në tekstil. Në fillim të viteve ’90-të pasi ishte shkëputur nga Ndërmarrja Artistike ajo do të niste një mënyrë tjetër të prodhimeve të tekstilit, endjen tradicionale me dore. “Pasi kisha studiuar tregun, thotë ajo, isha e bindur se mënyra artizanale e përpunimit të tekstilit do të me jepte dore në shitjen e mallit”. Dhe me të vërtetë ashtu ndodhi. Në përputhje me këtë mënyrë tradicionale ajo ideoi dhe stiloi edhe dizenjon e re të qilimave dhe sixhadeve. Në to tashmë mbizotëronin zbukurimet karakteristike, kryesisht elementët dhe motivet e origjinale të zonës së Gjirokastrës. Në dyqanin e çelur në Pazarin karakteristik do të zinin vend sixhadet dhe qilimat me ornamente tradicionale apo simbole të qytetit të Gjirokastrës si Kalaja, kulla e Sahatit, shtëpitë karakteristike etj të endura në tekstil. Madje për ti dhënë dyqanit një pamje sa më tradicionale ajo do të vendoste aty dhe një avlëmend të drunjtë në të cilin punon vetë. “Ajo që më çudit më shumë,i thotë Ruho Bineri,i është interesimi i vazhdueshëm i turistëve vendas dhe të huaj në lidhje me punimet tradicionale”. Çdo ditë në pragun e gurtë të dyqanit të saj shfaqen vizitorë të cilët gjatë rrugës për në Pazarin karakteristik apo Kalanë e qytetit ndalen për të kundruar plot kërshëri dhe interes qilimat të cilët dallohen në vitrinën e dyqanit. “Blerësit, veçanërisht turistët e huaj, thotë ajo, interesohen për gjithçka tradicionale që unë tregëtoj në dyqan. Pasi kundrojnë më kujdes prodhime të ndryshme atëherë largohen prej dyqanit duke blerë sixhade apo rrugica të vogla të punuara në tekstil”. Më shumë klientët i tërheqin punime me ornamente simbolike nga Gjirokastra apo simbole të historisë së Shqipërisë. “Prodhime të tilla artizanale prezantojnë edhe vlerat dhe kulturën e komunitetit gjirokastrit thotë ajo prandaj unë do të dëshiroja që shteti të na mbështeste me shumë me politikat e tij ekonomike.” E megjithë moshën e tanishme serish pasioni për punimin e qilimave dhe rrugicave vazhdon të ngelet po ai i ditës së parë kur pasi kishte dalë nga bankat e gjimnazit hodhi hapin e parë në oborrin e Ndërmarrjes Artistike në Gjirokastër./KohaJone