Qerimaj-Gjoza, përplasja vazhdon…
Përplasja mes Erkand Qerimajt dhe kreut të Federatës së Peshëngritjes, Elez Gjoza vazhdon. Peshëngritësi shkodran e akuzon Gjozajn për abuzime me fondet e federatës që u takojnë sportistëve.
“Si arrini me të ardhurat tuaja të jetoni në mes të luksit, përfshirë vila makina dhe prona? Nuk është aspak e drejtë të merreni në intervista me trajtimet ushqimore që unë i fitoj me shumë mund dhe sakrificë dhe janë lekë që vijnë nga taksapaguesit shqiptarë, jo nga xhepi juaj! Ju keni deryrim si President të jepni të ardhura për Federatën që drejtoni, ndërkohë, ju abuzoni me lekët e taksapaguesve shqiptarë, duke shkelur rëndë ligjin. Vitin që kaloi unë kam marrë vetëm 5 muaj trajtim ushqimor nga Federata”, thotë Qerimaj.
“E keni mbyllur 4-vjeçarin e parë të drejtimit me shumë shkelje e abuzime dhe vitin 2017 e keni nisur me shkelje Statuti dhe ligjeve shqiptare në fuqi, të cilat në ditët në vijim do të bëhen publike të tjera fakte e prova”, shton Qerimaj.
Peshëngritësi akuzon kreun e federatës se përdor fondet e sportistëve që janë për trajtimin ushqimor për turizëm për veten dhe rrethin e tij miqësor.
“Keni paguar sportistë që nuk kapin as normat e kampionatit të peshëngritjes dhe kjo është shkelje Statutit dhe ligjit”, thotë ai.
Në fund, Qerimaj i drejton një thirrje Kryeministrit Rama dhe kreut të Kuvendit, Ilir Meta që ta shkarkojnë atë.
/ Top Channel