“Shqipëria pa armë”, Tahiri ndalet në Gjirokastër, përgjigje edhe për akuzat e Tavos
Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri ishte në fshatin Dhoksat të Gjirokastrës, duke iu bashkuar studentëve të Universitetit “Eqrem Çabej”, për të trokitur derë më derë në kuadër të nismës “Shqipëria pa armë”.
Ministri Tahiri, në një prononcim për mediat lokale, duke bërë një bilanc mbi këtë proces, u shpreh se nisma do të vazhdojë.
“Për fat deri më sot, i gjithë ky aksion që ka nisur, ka pasur bashkëpunimin e shkëlqyer të qytetarëve dhe unë dua të falënderoj të gjithë ata që kanë dorëzuar armët. Janë mbi 500 qytetarë që deri më sot kanë dorëzuar armën në të gjithë Shqipërinë, vetëm në 15-ditëshin e dytë të janarit. Dhe janë me mijëra municione të tjera që janë dorëzuar po gjatë kësaj periudhe. Ne sigurisht kemi akoma më shumë për të bërë. Ka akoma më shumë punë duke trokitur derë më derë, mund të bindim akoma më shumë qytetarë që të dorëzojnë armët”, tha ai.
Ministri nuk komentoi deklaratat e deputetit Vangjel Tavo, i cili tha se policia po ushtron presion ndaj LSI-së.
“Shqipëria pa armë është objektivi ynë madhor. Unë jam këtu me studentët, me punonjësit e policisë. Jam këtu me pushtetin vendor, jam këtu me prefektin. Është i ftuar Vangjel Tavo dhe kushdo tjetër të na bashkohet. Ky nuk është objektiv jo i imi por është objektiv i yni, i shoqërisë në tërësi. Dhe besoj kjo është mënyra e vetme për të bashkuar energji dhe për të bërë një Shqipëri më të mirë”, deklaroi ai.