Lajmi i mirë për Universitetin “Eqerem Çabej”, shpallet Fakulteti Ekonomik

Pas propozimit nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, qeveria ka marrë vendim për shpalljen e Fakultetit Ekonomik të Universitetit “Eqerem Çabej” në Gjirokastër. Deri më tani ka funksionuar si njësi brenda Fakultetit të Shkencave Shoqërore, por pas vendimit të fundit do të jetë fakultet më vete. ArgjiroLajm.net mëson se Fakulteti Ekonomik do të ketë në përbërje tre departamente:

Departamenti Kontabilitet-Financë

Departamenti Administrim Publik

Departamenti i Politikave Ekonomike dhe Turizmit

Veprimtaria e Fakultetit Ekonomik të Gjirokastrës do të nisë në vitin 2017-2018. Prej kohësh Universiteti “Eqerem Çabej” kërkonte që studimet në fushën e ekonomisë të njiheshin me diplomën përkatëse si Fakultet i Ekonomisë. Universiteti i Gjirokastrës është institucioni i arsimit të lartë publik më i rëndësishëm në jug të vendit dhe me një traditë shumëvjeçare. Por vitet e fundit numri i studentëve që e frekuentojnë ka ardhur gjithnjë e më shumë në ulje.

/ArgjiroLajm.net