Ministrja e Kulturës inspekton punimet për restaurimin e Pazarit: Gjirokastra, shumë shpejt një imazh i veçantë për turistët!
Gjirokastra do të nxjerri shumë shpejt në dritë vlerat autoktone të këtij qyteti muze. Projekti më i fundit ai i rehabilitimit të fasadave të banesave, synon ti ktheje lagjet, banesat e vjetra, në stilin dhe arkitekturën origjinale. Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro ka inspektuar nga afëri e ecurinë e punimeve.
Fillimisht ajo është ndalur në zbatimin e punimeve për rikonstruksionin e fasadave të godinave në pjesën e poshtme të qytetit. Ky projekt është një bashkëpunim i qeverisë me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, i financuar nga Banka për Zhvillim e Këshillit të Europës, në vlerën e rreth 200 milion lekëve. Ai synon rehabilitimin e fasadave të 140 godinave të ndërtuara përpara viteve 90-të. “Falë zbatimit të këtij projekti godinat masive në Gjirokastër, do të ofrojnë një imazh të veçantë të qytetit për turistët”, u shpreh ministrja Kumbaro.
Gjatë inspektimit të sotëm ministrja e kulturës, është ndalur edhe në kantierin e restaurimit të ngritur në Pazarin karakteristik. Ajo ka parë nga afër ecurinë e punimeve për zbatimin e projektit të qeverisë dhe Fondit Shqiptaro-amerikan për zhvillim në vlerën e 3 milion eurove. Gjatë bashkëbisedimeve me banorët dhe bizneset e zonës historike ministrja Kumbaro garantoi përfundimin sa më të shpejtë të punimeve restauruese.