Banesat sociale në Gjirokastër, dy sheshe ndërtimi për mijëra kërkesa (Video)
Pritet të zgjerohet edhe më, lista e përfituesve të kredive të buta për strehim për Bashkinë e Gjirokastrës në një kohë kur në të gjithë qarkun, numri i të pastrehëve shkon në mbi 1000.
Sipas Drejtorit të Entit Rajonal të Banesave në Gjirokastër Meleq Karabina, tashmë janë siguruar dy sheshe ndërtimi në lagjen “Zinxhire”, ku prioritet do t’u jepet shtresave në nevojë të përcaktuara edhe nga komisioni i vlerësimit.
“Do të merren të gjitha listat e personave, që kanë aplikuar pranë këshillave bashkiakë të bashkive dhe do të çohen në Tiranë, – Tha Karabina. – Atje do të vlerësohet se kush do të jetë me prioritet. Prioritet do të kenë familjet që jetojnë në banesat e ish-pronarëve.”
Sipas Dasho Sejdos, Shef i Zyrës së Shërbimeve Publike në Bashkinë e Gjirokastrëës, aktualisht numri I personave të regjistruar si të pastrehë në bashki shkon në rreth 362, ndërsa gjatë 2013-s, në bazë të kuotave të dhëna nga ministria përkatëse, janë trajtuar me kredi të butë 72 familje.
“Këto familje, aktualisht e kanë përfituar këtë lloj kredie dhe kanë përfituar banesa në tregun e lirë, – tha ai. – Janë dy sheshe ndërtimi për banesa sociale me kosto të ulët në lagjen “Zinxhire” dhe do të përfitojnë grupet e familjeve në nevojë, që janë shumë, si invalidët, të verbrit,paraplegjikët,jetimët e të tjerë. Presim të marrim edhe sivjet, kontigjente. Ndofta, kontigjenti, do të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm për këto grupe në nevojë,”- përfundoi Sejdo.