Mbyllet “Gjiro Open Air” në Gjirokastër, fitues parashutisti nga Kosova Ardall Celina
Sport në Ajër! Kulturë në Tokë! Kështu u mbyll “Gjiro Open Air”, një event sa sportiv edhe kulturor, i cili u mbajt në Gjirokastër nga datat 23-26 mars 2017.
60 sportistë nga Ballkani nuk provuan vetëm adrenalinën e fluturimeve nga Çajupi, por shijuan gjithashtu edhe itineraret për në vendet e trashëgimisë kulturore si, Parku Arkeologjik Antigone, Kisha e Saraqinishtit, Manastiri i Spilles, Teatri i Adrianopulit, etj.
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, e cila ishte e ftuar në ceremoninë përmbyllëse ku u shpallën fituesit, tha se kjo eksperiencë e mirë bashkëpunimi me Federatën Shqiptare të Aeronautikës do të vijojë edhe gjatë zhvillimit të Kampionatit të 9-të Botëror të Fluturimeve të Lira në “Paragliding në Disiplinën në Preçizion”, për Promovimin e Trashëgimisë Kulturore Kombëtare.
Kumbaro gjithashtu i dorëzoi çmimin e parë parashutistit nga Kosova, Ardall Celina, i cili u shpall fitues i Gjiro Open Air 2017.
Eventi Gjiro Open Air kulmoi me Gjirokastra by Night, një “street party” që dhuroi një atmosferë elektrizuese në Qafën e Pazarit.