Gatime tradicionale, këngë e valle popullore, Përmeti çel sezonin turistik (FOTO)

Përmeti ka çelur dje sezonin turistik për vitin 2017. Me këtë rast janë organizuar një sërë aktivitetesh në pedonalen e qytetit dhe një ndeshje basketbolli mes veteranëve të ekipeve Partizani dhe Dinamo, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama, i cili së bashku me kryebashkiakun e Përmetit i dorëzoi titullin “Qytetar Nderi” basketbollistit Gazment Çaçi.

Në fjalën përshëndetëse ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro vuri edhe njëherë theksin te potencialet e jashtëzakonshme natyrore dhe kulturore që ka Përmeti për zhvillimin e turizmit, shto këtu edhe kulinarinë e pasur që është një vlerë e shtuar për këtë qytet. Sipas Kumbaros investimet që po kryhen nga qeveria në Përmet dhe gjithë qarkun Gjirokastër, synojnë ta shndërrojnë këtë të fundit në një qendër të rëndësishme të zhvillimit të turizmit në jug të vendit.

Bashkë me Kumbaron në këto aktivitete ishte edhe i deleguari i PS-së për Gjirokastrën, ish-ministri Bledi Çuçi. Veç panairit me gatime tradicionale,  qytetarët  ndoqën nga afër edhe koncertin e Ansamblit Popullor, interpretimet e sazeve të Përmetit dhe këngëtarëve të tjerë të ftuar.

/ArgjiroLajm.net/