KZAZ e Dropullit largohet nga fshati i Vangjel Tavos, ‘shpërthen’ LSI: Rilindja do të pengojë zgjedhjet

Lëvizja Socialiste për Integrim ka denoncuar zhvendosjen e KZAZ-së 80 në Bashkinë e Dropullit nga një fshat në një fshat tjetër, çka sipas kësaj partie synohet që të mos zhvillohen zgjedhjet normale në këtë zonë më 25 qershor.

Sipas Luan Ramës, pas këtij vendimi përfshihet marrëveshja e Rilindjes me aneksin e Rilindjes.

Luan Rama: KQZ në papërgjegjshmëri të plotë dhe me absurditetin e një akti që nuk ka logjikë, ka vendosur në mbledhjen e djeshme ta zhvendosë qendrën e KZAZ-së 80 nga vendi tradicional ku ka qenë e vendosur gjithmonë në ambientet e shkollës në fshatin Jorgucat, duke e zhvendosur në Grapsh.

Në thelb është një përpjekje djallëzore për të mos bërë të mundur zhvillimin e zgjedhjeve në KZAZ-në 80 të Bashkisë së Dropullit. Është një përpjekje e ligë për të mos lejuar zhvillimin e zgjedhjeve normale në Bashkinë e Dropullit. Pas këtij produkti përfshihet në prapavijë Rilindja dhe aneksi i Rilindjes të bëra një.

Kryetari i Bashkisë së Dropullit i është drejtuar me shkresë edhe Prefektit të Gjirokastrës, edhe KQZ-së, dhe ku ka kërkuar të mos zhvendoset KZAZ-ja.

Luan Rama i bëri apel KQZ-së që të shqyrtojë kërkesën e saj dhe të kthejë këtë KZAZ atje ku ka qenë në të gjitha zgjedhjet e zhvilluara më herët.

Luan Rama: Qytetarët shqiptarë votues të Bashkisë së Dropullit, vëllezërit tanë minoritarë. Ky është edhe një akt tjetër provokativ që cenon marrëdhënies midis dy vendeve tona. KQZ ka shansin dhe përgjegjësinë ta korrigjojë idiotësinë që ka bërë vetë dhe të kthejë KZAZ-në e Dropullit atje ku ka qenë tradicionalisht.  

Zyrtari i lartë i LSI-së tha se ambientet në fjalë janë të pamundura të rikonstruktohen brenda pak ditëve.

Luan Rama: Kam kërkuar takim urgjent me shefin monitorues të OSBE-së, kam njoftuar ambasadoren helenike në Tiranë. Ky është një akt i papërgjegjshëm që kërkon të diskriminojë dhe të përjashtojë minoritarët e Dropullit për të votuar si të gjithë të tjerët. Kjo përpjekje okulte është në vazhdën e përpjekjeve për të mos lejuar zhvillimin e zgjedhjeve sipas standardeve. E siguroj KQZ-në që pas këtij provokimi, përgjigjen do ta kenë nga qytetarët shqiptarë.