Luftëtari ‘tërbohet’ me trajnerin serb: Shkele kontratën me ne, do të çojmë në gjyq

Zyrtarizimi i Mladen Milinkoviç sot si trajner i Kukësit nuk është pritur mirë në Gjirokastër. Zëdhënësi klubit Luftëtari, Rigels Malile, i cili javën e kaluar tha se marrëveshja me Milinkonviç ishte mbyllur, sot ka dalë në një deklaratë për mediat, për të thënë se do të ndiqen të gjitha hapat ligjorë për të penguar zyrtarizimin e Milinkoviç te Kukësi. Ai bëri publike kontratën e Luftëtarit me trajnerin serb, kontratë që sipas tij është shkelur në mënyrë të njëanshme nga Milinkoviç.

‘Jemi të zhgënjyer nga ky veprim i stafit menaxhues të trajnerit Milinkoviç dhe nga vetë tekniku, për arsye se trajneri në 29 qershor 2016 ka nënshkruar një kontratë me Luftëtarin, e cila në pikën 12 të saj thotë shprehimisht se ‘klubi ka të drejtë të rinovojë këtë kontratë edhe për një tjetër sezon. Por për këtë duhet të informojë trajnerin në mënyrë të shkruar përpara datës 30 prill 2017. Kjo klauzolë rinovon automatikisht kontratën dhe ne e përdorëm atë pasi në datë 25 prill 2017 kemi informuar trajnerin zyrtarisht me një shkresë. Pra, e kemi informuar brenda afateve të përcaktuara nga kontrata e vitit të shkuar. Trajneri Milinkoviç e ka konfirmuar marrjen e kësaj shkrese”, tha Malile duke shtuar më tej se klubi i Luftëtarit do të ndjekë hapat ligjorë për të mos lejuar nënshkrimin e një tjetër kontrate nga Milinkoviç.

Malile tha se këtë dokumentacion ia kanë vënë në dispozicion FSHF-së, UEFA-s dhe FIFA-s. Sipas tij kontrata e Milinkoviç me Kukësin është një kontratë e pavlefshme.

/ArgjiroLajm.net/