Rama paralajmëron shkarkimin e Flamur Bimes: Deri më tani Prefektët i kemi parë në Tv vetëm kur kishte përmbytje
Pasditen e djeshme, kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me drejtuesit vendorë dhe përfaqësues të bashkive të qarkut të Vlorës.
Gjatë fjalës së tij, kreu i Qeverisë paralajmëroi shkarkimin e prefektëve në 12 qarqet e vendit.
Rama tha se do të ketë ndryshime edhe në këtë drejtim, në mënyrë që edhe këto institucione të pushtetit vendor të jenë më funksionale.
“Shumë shpejt do bëjmë publikë emrat e prefektëve që do shkarkohen dhe atyre që do vijnë në këtë detyrë. Do kemi një skuadër të re Prefektësh që do mbulojnë territorin e tyre në bashkëveprim me Ministrinë e Brendshme. Një skuadër që të punojë fort se i kemi parë Prefektët në TV vetëm kur ka patur përmbytje. Shumë shpejt do bëj publik emrat e prefektëve dhe pastaj do kemi një hallkë më të qartë ndërveprimi”, u shpreh Rama.
Për Prefekt të qarkut Gjirokastër, deri më tani kandidatura më a favorizuar është Odise Kote, ish krahu i djathtë i Flamur Bimes, kur ky i fundit drejtonte Bashkinë Gjirokastër. Emri i Kotes është në tryezën e Ramës si propozim i tre deputetëve të qarkut.
©ArgjiroLajm.net