Rama apo Bushati, kush e përzgjodhi Artemis Dralon si zv.ministre e Jashtme?
Në ceremoninë e organizuar sot në Universitetin ‘Eqrem Çabej’, me rastin e nisjes së vitit të ri akademik, krahas të tjerëve ka përshëndetur edhe Artemis Dralo, e cila prej pak ditësh është emëruar në postin e zv.ministres së Jashtme.
Gjatë fjalës së saj Dralo u shpreh se në atë detyrë e ka përzgjedhur ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, duke lënë kështu të kuptohet se nuk ka qenë Kryeministri ai që e propozoi.
‘Si zv.ministre e Jashtme më lejoni t’ju jap përshëndetjet e mia nga Ministri i Jashtëm, i cili padyshim më ka përzgjedhur për të qenë në krah të tij dhe për mua është nder si për universitetin ashtu dhe për qytetin tim’, tha Dralo përballë studentëve dhe ish kolegëve të saj.
Ndërkohë në shtator të këtij viti, përpara se të zyrtarizohej emërimi, Dralo shprehej te bashkëpunëtorë dhe kolegë të saj, se ka qenë Rama ai që i kishte premtuar postin e zv.ministres së Jashtme dhe jo Ditmir Bushati. Aq më tepër që me këtë të fundit nuk kishte njohje apo relata të mëparshme.
© Libohova Online