Qarku Gjirokastër mbetet me një thertore të vetme
Në Qarkun e Gjirokastrës aksionit intensiv të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit ka mundur t`i shpëtojë vetëm një thertore, ajo në Mashkullor. AKU ka mbyllur dhe gjobitur gjatë kësaj jave 4 pika therje të cilat rezultuan jashtë standardeve.
Nga 5 subjekte të licencuara në Qarkun e Gjirokastrës, 4 njësi janë mbyllur dhe janë gjobitur nga AKU.
Por sipas Drejtorit të Autoritetit Kombetar të Ushqimit në Gjirokastër, Beso Brahimi, mbyllja e thertoreve ka sjell një tjetër problem. Në mungesë të tyre, bagëtitë po theren në vende të paautorizuara nga AKU.
Shqetësuese situata mbetet edhe në zonat rurale, ku tregëtimi i mishit është jashtë kontrolleve veterinare. Në të gjithë qarkun e Gjirokastrës operojnë 34 subjekte të tregëtimit të mishit, të cilat po i nënshtrohen kontrolleve të hollësishme nga AKU me synim garantimin e cilësisë së shërbimit.