Prefekti i ri i Gjirokastrës e nis detyrën me mobilim zyrash, tender 8.3 milionë lekë

Pak ditë pas zyrtarizimit në detyrë si Prefekti i Qarkut Gjirokastër, Astrit Aliaj ka firmosur për një tender në vlerën 8.3 milionë lekë të vjetra pa TVSH, me objekt ‘Blerje mobilje zyrash’.

Sipas njoftimit në buletinin e radhës së Agjensisë së Prokurimit Publik, afati për dorëzimin e ofertave është data 17 nëntor, ndërsa fituesi duhet të sjellë mobiljet për zyrat e Prefekturës brenda 15 ditësh.

Lidhur me këtë tender ka pasur edhe raportime në shtypin e shkruar, duke e cilësuar si abuziv. Por Prefektura Gjirokastër ka reaguar përmes një deklarate, ku sqaron procedurat rreth këtij tenderi.

Në deklaratë thueht se paratë për këtë tender janë dhënë nga Ministria e Brendshme dhe duhej që mobilimi i Prefekturës të ishte kryer më herët, por tenderat u pezulluan me vendim qeverie në muajin korrik, prandaj tenderimi po bëhet tani nga prefekti i ri Astrit Aliaj.

Prefektura shprehet se vë në dispozicion të publikut gjithë dokumentacionin që shoqëron këtë tenderim.

©ArgjiroLajm.net