Përmbytjet/ Zamira Rami ‘izolon’ fshatin Zhulat, flet kryeplaku: S’kemi ushqime dhe as ilaçe

Kanë kaluar 15 ditë nga përmbytjet që goditën qarkun Gjirokastër, por vazhdon të ketë ende zona të izolouara, për shkak të dëmtimit të infrastrukturës. Gjendja paraqitet më e rëndë në fshatin Zhulat. Kryeplaku i këtij fshati, Kapo Gjoça, në një bisedë telefonike me ArgjiroLajm.net u shpreh se gjendja në fshat është e rëndë. Rreth 80 familje nuk kanë asnjë komunikim me Gjirokastrën, për shkak të dëmtimit të rrugës.

‘Ushqimet rezervë që kishim, na kanë mbaruar; as vaj, as kripë asgjë fare. S’kemi më as ilaçe’, tha kryeplaku Gjoçaj, teksa apeloi për ndihmë. Sipas tij asnjë përfaqësues i Bashkisë Gjirokastër nuk ka marrë mundimin të shkojë në fshat, si dhe deri më tani nuk po bëhet asnjë përpjekje për të rindërtuar rrugën, në mënyrë që fshati t’i kthehet normalitetit.

Ndërkohë për ‘sy e faqe’, kryebashkiakja Zamira Rami apo edhe Prefekti Astrit Aliaj, ‘mburren’ në rrjetet sociale për menaxhimin e situatës emergjente, shpërndarjen e ndihmave etj.

Realiteti është ndryshe dhe izolimi prej dy javësh i fshatit Zhulat, e ilustron më së miri këtë gjendje, pavarësisht qindra fotove të Zamira Ramit e Astrit Aliajt apo edhe kronikave televizive të porositura, ku dy zyrtarët shfaqen me çizme apo ndihma nëpër duar.

©ArgjiroLajm.net